Uran Ismajli - Minister i Shendetsise

Keqpërdorimi i Avanseve, Hetime e Suspendime në Ministrinë e Shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha sot se ka kërkuar që të bëhet auditim në dyshimet për keqpërdorim të avanseve nga stafi i ministrisë që e drejton.

Ismaili, në një postim në Facebook, u shpreh se në përballjen me problemet e shumta që ka Ministria e Shëndetësisë, së fundi është njoftuar lidhur me dyshimet për keqpërdorimin e avanseve gjatë viteve 2016-2017.

“Është kërkuar dhe ka filluar auditimi i këtij procesi nga njësia e brendshme e auditimit e Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe në bazë të kërkesës së Agjencisë Kundër Korrupsionit, është deponuar e gjithë lënda në këtë Agjenci”, tha ai.

Ministri shtoi se sot është njoftuar edhe Policia e Kosovës dhe pret reagim nga të gjitha organet relevante që “abuzimet e mundshme të parasë publike të zbulohen sa më parë”.

“Po ashtu, janë suspenduar dhe janë vënë para komisioneve disiplinore edhe disa zyrtarë të dyshuar në lidhje me këto keqpërdorime. Çdo euro e keqpërdorur do të kërkojmë që t’i kthehet buxhetit të shëndetësisë”, tha ai.

“Si Ministër i Shëndetësisë, zotohem se nëpërmjet mekanizmave të kontrollit dhe mbikëqyrjes rigoroze, të cilat tashmë i kemi filluar, do t’i luftojmë keqpërdorimet e parasë publike dhe shpërdorimet e pozitës zyrtare”, tha Uran Ismaili.