Mennel Ibtissem

Këngëtarja Myslimane Tërhiqet nga Gara ‘The Voice’ në Francë

Një këngëtare myslimane, e cila është bërë e njohur në internet pas performancës së saj në garën televizive të Francës The Voice, është tërhequr nga konkurrimi pasi është kritikuar për disa komente të bëra në mediat sociale.

Në një postim, Mennel Ibtissem, 22 vjeçe, ka shprehur dyshime për natyrën terroriste të sulmit me kamion në Nicë, më 2016.

Ajo ka thënë se mesazhi i saj është nxjerrë jashtë kontekstit, raporton BBC.

Një video e saj, duke kënduar këngën Hallelujah të këngëtarit Leonard Cohen, është shikuar në YouTube mbi 900,000 herë.

Komentet në mediat sociale, të cilat tani janë fshirë, janë shfaqur pas performancës së saj në The Voice, e cila është vlerësuar lart.

Sipas mediave franceze, në një nga komentet e saj është thënë: “Për të mbetur besnik, ‘terroristi’ i ka marrë dokumentet e identifikimit me vete”.

Në sulmin në Nicë janë vrarë 86 veta, ndërsa shoferi i kamionit është identifikuar si tunizian, 31 vjeç.