Këngë, Valle e Krisma për Lirimin e Lushtakut

Pas lirimit të Sami Lushtakut nga Burgu i Dyzit, ai u prit me këngë e valle në sheshin kryesor të Skenderajt.

Disa nga të pranishmit në shesh e përqafuan Lushtakun, ndërsa për lirimin e tij ishin përgatitur edhe fishekzjarrë, madje pati edhe të shtëna me armë.

Një qytetar i Skenderajt tha se drejtësia ishte vënë në vend me lirimin e Lushtakut.

“Kemi dalë me e prit kryetarin, më në fund drejtësia veproi. Drejtësi s’ka pasë kurrë, as sot, por s’kanë pas qare pa e lëshu”, tha ai.

Skender Sinani një qytetar tjetër pati porosi për EULEX-in që të mos akuzojë ata që luftuan.

“Këtu sot kemi dalë që ta presim gjeneralin Sami Lushtaku. Lirimi i tij është mjaft i arsyeshëm dhe duhet gjykata e EULEX-it të mësohet njëherë dhe të mos akuzojë njerëzit që kanë luftuar për këtë vend dhe që nuk janë fajtorë a të fajshëm”, tha Sinani.

Në festën për lirimin e Sami Lushtakut ishin të pranishëm edhe deputetja Ganimete Musliu, kryetari I Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së Hysni Gucati dhe tanimë deputeti dhe djali i tij Mërgim Lushtaku.

Për media Sami Lushtaku ishte i rezervuar.

Ekipi i KALLXO.com arriti që t’i marrë një deklaratë në lidhje me lirimin, gjykimin dhe kthimin e tij në krye të komunës.

“Burgosja ime ka qenë e padrejtë dhe nuk ka qenë i lehtë qëndrimi në burg për arsye se veprimet tona kanë qenë të drejta. Ne kemi kërku edhe në gjykatë drejtësi, argumente dhe fakte. Asnjëherë nuk i kemi ikë drejtësisë dhe nuk e kemi ndërmend t’i ikim drejtësisë”, tha ai për KALLXO.com.

Lushtaku tha se njëherë do të pushojë pastaj do të mendojë se a do t’u kthehet punëve që kryente.

“Njëherë e kam mendjen me u çlodhë e me pushu, masandej e shikojmë”, tha ai.

Kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë me 12 vjet burg për vrasjen e një peroni të panjohur gjatë kohës së luftës.

http://kallxo.com/denohen-sami-lushtaku-e-sylejman-selimi/

Më pas Gjykata e Apelit e liroi nga kjo akuzë, por e dënoi me 7 vjet burg për krime lufte në lidhje me përgjegjësinë komanduese.

http://kallxo.com/apeli-denon-sami-lushtakun-dhe-sylejman-selimin/

Ndërsa dje Sami Lushtaku u lirua nga Gjykata Supreme, pasi kjo gjykatë aprovoi ankesën e avokatit të tij Arianit Koci.

http://kallxo.com/avokati-lirohet-sami-lushtaku/