Ndertesa e Gjykates Themelore ne Mitrovice - Foto Atdhe Mulla

Këmbësorja padit Byronë Kosovare të Sigurimit për aksidentin

Këmbësorja Kimete Berisha që u godit nga një makinë në Mitrovicë më 4 mars 2016 derisa po qëndronte në trotuar ka paditur Byronë Kosovare të Sigurimit.

Në gjykatë përfaqësuesja e Byrosë Kosvare të Sigurimeve Diellza Hajdari deklaroi se pala e paditur nuk e ka pranuar padinë dhe provat e tjera lidhur me rastin.

Hajdari kërkoi nga gjykata që seanca e sotme të shtyhet për një datë tjetër, pasi që për shkak të arsyeve të lartcekura ishte e pamundur që të deklarohej në këtë seancë.

Ky propozim nuk u kundërshtua as nga përfaqësuesi i paditëses Kimete Berisha, avokati Sheremet Ademi, me ç ‘rast palës së paditur më pas iu siguruan shkresat e lëndës.

Pas aprovimit të këtij propozimi nga ana e gjyqtarit të rastit Faton Ademi, seanca e radhës u caktua më 24 maj 2018.

Përmes padisë së paraqitur në Gjykatën e Mitrovicës, paditësja Kimete Berisha kërkon nga Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) që t’i kompensojë dënim e pësuar në aksidentin e komunikacionit që kishte ndodhur në mars të vitit 2016.

Sipas padisë, nga aksidenti që ishte shkaktuar me 4 mars në Mitrovicë, paditësja Kimete Berisha në këtë rast këmbësore ishte goditur nga një veturë që në padi evidentohet me shkronjën A.

Tutje në padi thuhet se Berisha ka qenë duke pritur në trotuar, kur vetura “A” gjatë vozitjes ka dalë në trotuar duke e goditur atë dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Përmes kësaj padie Berisha kërkon nga gjykata që ta aprovojë padinë dhe kërkesëpadinë e saj dhe të obligojë të paditurën, Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS), t’i paguajë shumën, e cila do të saktësohet pas nxjerrjes së provave-ekspertizave dhe precizimit të bërë nga paditësja.