KEK-u Reagon ndaj 'Spekulimeve të KEDS-it'

Korporata Energjetike e Kosovës, njofton qytetarët se aktualisht është duke prodhuar rreth 530 megavat orë energji elektrike. Në prodhim sipas komunikatës së KEK-ut, aktualisht janë tri njësi prodhuese, pra dy blloqe të “Kosovës A” dhe me një njësi të “Kosovës B”.

“Kurse ‘Blloku B2’ i ‘Kosovës B’ ka dalë nga sistemi sot në orën 06:00 të mëngjesit dhe jo siç u spekulua me herët nga kompania distribucionit KEDS / KESCO e cila sipas licencës ka për obligim furnizimin e qytetarëve me energji elektrike.  Pra, kjo njësi nuk është e vërtetë së ka dalë mbrëmë nga sistemi, siç u spekulua përmes komunikatës për media të KEDS /KESCO por ka pasur vetëm një orë ndërprerje dhe gjatë kësaj kohë mungesa e sasisë së energjisë është mbuluar nga KOSST-i”, thuhet në reagim.

Ndërsa Viktor Buzhala, nga KEDS, përmes një komunikate për medie, kishte njoftuar se KESCO detyrohet të fillojë me reduktime si pasojë e rënies së papritur të Bllokut B2.

“Nga mbrëmë, për shkak të nevojës së balancimit si dhe ruajtjes së sigurisë së sistemit si pasojë e mungesës së energjisë elektrike nga rënia e papritur e Bllokut B2 të Termocentralit Kosova B KOSTT ka kërkuar nga KESCO që të aplikojë reduktime në furnizimin me energji elektrike. Kjo gjendje o vazhdon edhe sot”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Ndërkaq KEK-u, më tutje ka njoftuar se në këtë njësi është ndërprerë prodhimi i energjisë elektrike në mënyrë automatike nga sistemi elektronik i instaluar i cili reagon menjëherë në momentin kur detektohet ndonjë defekt i vogël për të evituar ndonjë prishje më të madhe në njësitë prodhuese të termocentraleve.

“KEK-u me kohë ka njoftuar operatorët për paraqitjen  e këtij problemi teknik. Në këtë situatë, pavarësisht se KEK-u nuk ka obligime sa i përket furnizimit të qytetarëve me energji elektrike, brenda mundësive ligjore dhe sipas marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe përkrahjes së ndërsjellët ka siguruar rreth  90 megavat orë energji elektrike nga Korporatën Energjetike Shqiptare (KESH)”, thuhet më tutje.

KEK, ka dërguar edhe një komunikatë shtesë ku tregon se ka sanuar defektet.

“Korporata Energjetike e Kosovës ju njofton se falë angazhimit maksimal të ekspertëve dhe gjithë stafit teknik, tashmë janë sanuar defektet teknike të paraqitura në këtë njësi dhe ka filluar procedura për rikthimin e kësaj njësie në operim. Në këtë drejtim, sipas parashikimeve preliminare të ekspërteve tanë të mbështetura në eksperiencat e mëhershme kjo njësi pritet të rikthehet sot rreth orës 13:00 – 14:00”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.