Fshati Shipitullë; Foto: KALLXO.com

KEK-u Fton Banorët e Shipitullës dhe Hades t’i Nënshkruajnë Kontratat për Zhvendosje

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) u ka bërë thirrje banorëve të fshatrave Shipitullë e Hade të nënshkruajnë marrëveshjet për zhvendosje deri më 15 dhjetor.

Duke qenë e bindur në ofertat, sipas saj të leverdishme, Korporata thotë se nënshkrimi i marrëveshjeve është në interes të banorëve dhe interesit nacional.

Po ashtu, KEK fton banorët që të mos bien pre e dezinformatave të disa individëve, që “për qëllim të vetëm kanë  zvarritjen e procedurave të zhvendosjes, përfitimet eventuale personale, dhe  hutimin e palëve të afektuar në procedurën e zhvendosjes”.

KEK-u jep sqarime edhe rreth vlerësimit të palujatshmërisë.

“Duhet cekur se palujtshmëritë në fjalë janë regjistruar dhe vlerësuar së paku tre herë nga ana e vlerësuesve të licencuar dhe certifikuar për vlerësimin e pasurive të paluajtshme   dhe se vlerësimi është bërë në pajtim të plotë me Kornizën e Politikave të Zhvendosjes, vendimin e Qeverisë së Kosovës dhe marrëveshjeve të arritura mes banoreve dhe Qeverise së vendit, te mbikëqyrura nga kompania e licencuar dhe specializuar ndërkombëtare ‘RePlan’”, thuhet në komunikatën e kësaj kompanie.

Po ashtu, sqaron KEK, procesi në fjalë në të gjitha fazat e zhvillimit është përcjellë nga afër prej shume palëve të interesit, ndërkombëtare dhe vendore.

Përmes komunikatës, Korporata Energjetike e Kosovës bën të ditur se për shkak të presioneve dhe veprimeve nga individë të caktuar, disa  banorë të zonës ishin vënë në lajthitje, me ç’rast  ishin prolonguar dhe penguar procedurat e incizimit dhe vlerësimit të detajuar duke penguar qasjen në zonë, ndërsa incizimi i jashtëm është realizuar me shumë vështirësi.

Më 1 dhjetor qeveria mori vendim për shpronësimin e zonave kadastrale në këto fshatra,

Banorët e Shipitullës dhe Hades protestuan gjatë shtatorit, pasi ekskavatorët e KEK-ut u afruan pranë shtëpive të tyre.

Në shtator Kryeministri Ramush Haradinaj dëgjoi kërkesat e banorëve dhe më pas njoftoi se u mor vesh me ta.

Në tetor Haradinaj u takua në zyrën e tij me banorë të Hades e Shipitullës, të cilët i siguroi se procesi i zhvendosjes do të përmbyllet me sukses.