KEK Rikthen 100 Për Qind të Kapacitetit Prodhues

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se ka kthyer në prodhim edhe bllokun A5 të termocentralit “Kosova A”.

Sipas KEK-ut, korporata është duke operuar me 100 % të kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike sipas bilancit energjetik të aprovuar nga MZhE.

“Ashtu siç është premtuar nga fillimi, edhe në takimet me kryeministrin e vendit, z. Ramush Haradinaj dhe zyrtarët tjerë të institucioneve, të gjitha parashikimet janë realizuar në një afat rekord pas arritjes së marrëveshjes dhe zhbllokimit të procesit të zhvendosjes së banorëve nga zonat e Hadës dhe Shipitullës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga KEK-u.

Në komunikatë thuhet se i gjithë menaxhmenti i KEK-ut dhe punëtorët kanë punuar intensivisht që të arrihet stabilitet maksimal para festave të 10 vjetorit të pavarësisë.

“Varësisht nga konsumi në vend dhe kërkesat nga operatorët në treg, KEK-u ka në dispozicion kapacitete prodhuese të energjisë deri në 780 MW/h”, thuhet tutje në komunikatën e KEK-ut.