KEK: Ne Vetëm Zbatojmë Planin e Qeverisë

Korporata Energjetike e Kosovës përjashton të gjitha mundësitë që KEK të jetë përgjegjës për vështirësimin e jetesës së banorëve të mbetur në Hade.

Adil Januzi, Drejtor i Qymyrit në KEK deklaron se kjo korporatë është duke e zbatuar në përpikmëri planin qeveritar për mihje megjithëse cilëson gjendjen e banorëve atje si të  ‘pakëndshme.

“Unë jam i obliguar me implementu këtë projekt dhe nëse më një metër nuk e implementoj këtë projekt për atë jap përgjegjësi. Sa i përket ndarjes së një pjese të fshatit Hade dhe mbetja si oazë e një fshati tjetër, nuk është e këndshme as për qytetarë, as për ju e as për ne vetvetiu mirëpo është projekti ai që e definon dhe ne as nuk guxojmë e as nuk kemi mundësi të dalim jashtë këtij projekti”, deklaron Januzi.

Në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, do të transmetohet hulumtimi i quajtur ‘Tokat mbi qymyr’ në të cilën paraqitet në hollësi problemet me shpronësimin e banorëve që jetojnë në zonat e shpallura me interes ekonomik.

Ankesat e banorëve se mihja e bërë nga KEK-u rreth e përqark zonës ku jetojnë ata i është afruar në distanca të rrezikshme , Januzi i cilëson si të pavërteta.

“Sipas ligjit të ri, i kam stopuar eskavatorët, Hadja e re nuk është më afër se 250 metra nga zona ku janë duke u bërë mihjet “, thotë Januzi.

Emisionin e plotë të ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun më poshtë: