Shtylla elektrike (Ilustrim) | Foto: KALLXO.com

KEDS Rregullon Shtyllën e Energjisë Elektrike Gati të Rrëzuar

Ekipet punuese të KEDS-it kanë dalë në terren dhe e kanë rregulluar një shtyllë gati të rrëzuar të energjisë elektrike në fshatin Vragoli të Komunës së Fushë-Kosovës.

Shtylla rrezikonte banorët, ndërsa për gjendjen e saj kishin raportuar qytetarët në KALLXO.com.

Gjatë ditës së djeshme KALLXO.com kontaktoi me Viktor Buzhalën, zëdhënësin e KEDS-it në lidhje me këtë shtyllë.

“KEDS nuk ka pasur informata për gjendjen e asaj shtylle. Me ta marrë informatën nga ana e juaj ne kemi reaguar menjëherë duke e zëvendësuar atë”, tha Buzhala.

Shtylla duke u rregulluar

Buzhala përmendi edhe investimet tjera nga KEDS-i në Vragoli, nga të cilat tha se do të përfitojnë banorët e këtij fshati.

KALLXO.com kishte shkruar edhe për raste tjera të rrezikimit të banorëve nga pjesë të ndryshme të Kosovës nga shtyllat elektrike në gjendje jo të mirë, por edhe për ndërhyrjet e KEDS-it për rregullimin e tyre.