KEDS Paralajmëron Ndërprerje Rryme nga Defekti në Termocentral

Kosova po furnizohet në masë të madhe nga energjia e shtrenjtë e importit duke qenë se një defekt në termocentral ka bërë që prodhimi vendas i rrymës të kufizohet në mënyrë drastike.

Aktualisht prodhimi i energjisë nga Korporata e Energjisë së Kosovës vjen nga termocentrali Kosova B dhe njësia A4 e termocentralit Kosova A të KEK-ut. Njësitë e tjera nuk punojnë. Këtë e kanë konfirmuar KEK dhe KEDS për KALLXO.com.

Zëdhënësi i KEDS-it, Guri Shkodra tha për Kallxo se kjo situatë e ka vështirësuar tej mase situatën energjetike në vend.

“Tani jemi informuar për zvogëlim te kapaciteteve në njësinë e vetme aktive të termocentralit Kosova B që në momentin që po flasim prodhon diku rreth 120 megavat energji elektrike dhe kemi edhe një njësi në termocentralin Kosova A te KEK (njësinë A4) aktive”, tha Shkodra.

Ai deklaroi se për momentin prodhimi në KEK është diku rreth 250 megavat, çka sipas tij, përfaqëson sasi shumë të ulët krahasuar edhe me konsumin që gjatë këtyre ditëve në orët e pikut tejkalon 700 megavat.

Zëdhënësi i KEDS-it tha se situata e krijuar vë në pikëpyetje furnizimin e rregullt me energji elektrike.

“Ndryshimi i planeve në momentin e fundit mund të shkaktojë probleme në furnizimin e rregullt me energji elektrike duke qenë se sektori i energjisë funksionon sipas planifikimeve paraprake”, vërejti Shkodra.

Ai tha se KEDS po punon në realizimin e importit emergjent që kërkon kohë për t’u realizuar dhe nuk varet vetëm nga KEDS dhe KESCO. “Normalisht, varet edhe nga disponueshmëria e energjisë elektrike në treg”.

Shkodra tregoi se gjatë ditës së hënë është importuar një sasi e madhe e energjisë elektrike në mënyrë që të mbulohet konsumi. “Fatkeqësisht është shumë i kushtueshëm nëse realizohet në formë emergjente”, tha Shkodra.

Ai tha se KEDS-i është paralajmëruar se prodhimi në njësinë B1 të KEK-ut do të kthehet në funksion të martën në orën 18:00.

Ndërsa, drejtori i Shërbimit të Korporatës Energjetike, Edmond Nulleshi, tha se për momentin janë duke u prodhuar 300 megavat energji elektrike.

“Si pasojë e një defekti teknik në stabilimentet e përbashkëta të furnizimit me qymyr të termocentralit Kosova B, dje (e hënë) pasdite për shkaqe sigurie njësia B1 është nxjerr nga prodhimi, përderisa njësia B2 është duke prodhuar me kapacitet të reduktuar. Për momentin KEK është duke prodhuar rreth 300 megavat me një njësi të Kosovës A dhe një të Kosovës B”, tha Nulleshi.

Ai tregoi se ekipet mirëmbajtëse janë duke punuar me intensitet të shtuar, pa ndërprerë, duke bërë të pamundurën që të ndreqin defektin e paraqitur.

“Besojmë se deri ne orët e mbrëmjes problemi do të tejkalohet dhe prodhimi nga Termocentrali Kosova B do te stabilizohet në tërësi”, deklaroi Nulleshi.