Naim Cahani, KDI. Foto: Kallxo.com

KDI Zgjedh Gjakovën dhe Rahovecin si Komunat më Transparente në 2016

Kjo organizatë, në një konferencë për media, ka prezantuar të gjeturat nga mekanizimi për matjen e transparencës për 11 komuna të Kosovës.

“Niveli i transparencës është matur në kuadër të katër shtyllave: zyrën e kryetarit të komunës, kuvendin e komunës, transparencën financiare dhe transparencën në konsultim me publikun”, tha Cahani nga KDI.

Sipas këtij raporti, komuna e Gjakovës ka shënuar nivelin më të lartë të transparencës për periudhën janar dhjetor 2016 me 83.8%. Poashtu Gjakova prin në transparencën financiare të komunës dhe në konsultim me publikun, ndërsa komuna e Gjilanit del të jetë më transparentja në kuvendin e komunës.

Për periudhën e dytë korrik-dhjetor, sipas KDI-së më transparente është komuna e Rahovecit me 79.7%, si në kuvendin e komunës ashtu edhe në financat komunale, ndërsa Malisheva renditet e para më transparente me publikun.

Cahani shtoi se për periudhën janar-dhjetor transparenca është matur për komunën e Prishtinës, Gjakovës, Gjilanit, Deçanit dhe Graçanicës, ndërsa për periudhën korrik-dhjetor është matur për komunën e Prizrenit, Suharekës, Malishevës, Dragashit dhe Mamushës.