Prezantimi i raportit për korrupsionin në drejtësi nga KDI – Foto: KALLXO.com

KDI: Nepotizmi e Ushtrimi i Ndikimit Politik, Sjelljet më të Shpeshta Korruptive në Drejtësi

Veprat më të shpeshta korruptive në drejtësinë e Kosovës del të jenë favorizimi dhe nepotizmi ndërsa pas këtyre vjen ndërhyrja dhe ndikimi politik.

Kështu tregojnë të gjeturat e raportit të anketës “Iniciativa për Integritet në Drejtësi” të Instituti Demokratik të Kosovës (KDI).

“Është mu favorizimi dhe nepotizmi që ka dalë si forma më e shpeshtë e korrupsionit. 52.9% të respondentëve e kanë konsideruar atë si të lartë dhe shumë të lartë. Si formë e dytë më e shpeshtë sjelljeve korruptive në sistem të drejtësisë është ndërhyrja politike, me 50.4%”, tha Arben Kelmendi nga KDI.

Në anketën e bërë kanë marrë pjesë 1050 persona që kryejnë funksionin e gjyqtarëve, prokurorëve, policëve hetues, inspektoratit policor dhe personeli i prokurorive dhe gjykatave.

Ndërsa Kelmendi ka shtuar se nga të gjithë këto kategori të intervistuara avokatët perceptohen si ndërmjetësues në vepra korruptive megjithëse ndërmjetësimi nuk shihet gjithmonë si i nevojshëm.

Gjatë shfaqjes së sjelljeve korruptive jo gjithherë ka nevojë për ndërmjetësues, shpeshherë këto dukuri kryhen në marrëveshje të fshehta, në katër sy, tha ai.
Ndërkaq, ndaj këtij konstatimi reagoi kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli, i cili u shpreh se kjo paraqet vetëm perceptim.

“Deri më tani unë nuk kam asnjë kërkesë apo ndonjë fletëparaqitje ndaj ndonjë avokati i cili i ka sjellje korruptive ose e ka korruptuar dikë. Polici, Prokurori, Gjykatë këtu ta marr sinjalin nëse Oda e Avokatëve të Kosovës vëren dukuri të tilla ka obligim ligjor që ta njoftojë policinë, ka nevojë që ta plotësojë këtë informacion më tutje” tha Havolli.

Ky i fundit shtoi se OAK merr masa për rastet korruptive të avokatëve.

Ndryshe, emisioni “Drejtësia në Kosovë“, kishte zbuluar një aferë korruptive në të cilën ishte i përfshirë prokurori i Prokurorisë së Prizrenit, Bajram Hamitaga, i cili pas transmetimit ishte suspenduar dhe ndaj tij ka nisur proces gjyqësor.

Po ashtu, pas hulumtimit të emisionit “Drejtësia në Kosovë“ ishte ngritur aktakuzë ndaj gjykatëses Safete Tolaj.

http://kallxo.com/aktakuze-ndaj-gjykateses-pas-hulumtimeve-te-drejtesia-ne-kosove/

Të gjeturat e hulumtimit tregonin se ajo dhe djali i saj ishin përfshirë në rast korrupsioni.