Diskutimi për punën e KUvendit | Foto: KALLXO.com

KDI: Më shumë se gjysma e deputetëve nuk shtrojnë pyetje

Në një diskutim për punën e Kuvendit, Instituti Demokratik i Kosovës tregoi të metat dhe arritjet e legjislativit.

Instituti Demokratik i Kosovës ( KDI )organizoi diskutim publik mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës, shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të mediave rreth monitorimit të punës së Kuvendit.

Menaxheri  i projektit për mbështetje të aktiviteteve për hulumtime parlamentare në Kosovë, Albert Krasniqi, tha se sfidat me të cilat është ballafaquar Kuvendi vitet  e fundit kanë qenë të shumta dhe jo rrallëherë është rrezikuar edhe funksionimi i këtij institucioni.

“Ligjet të cilat miratohen në Kuvend, disa prej tyre që janë të rëndësishme kalohen me nguti, përmes procedurave të përshpejtuara dhe pa konsultime paraprake në grupet e interesit”, tha ai.

Sipas Krasniqit, mungesa e deputetëve në seanca po shkakton probleme.

“Puna në Kuvend duhet të jetë një punë me orar të plotë të deputetëve, sepse duhet t’i përfaqësojnë qytetarët duke e përmbushur mandatin e  tyre, mirëpo kjo është vështirë të bëhet nëse fizikisht nuk janë deputetët në Kuvend dhe edhe më vështirë kur janë në Kuvend dhe nuk marrin pjesë në votim”, tha Krasniqi.

KALLXO.com shkroi shpesh për mungesë kuorumi, ose vullneti për të votuar në Kuvend.

Krasniqi më tutje tregoi se më shumë se gjysma e deputetëve nuk u kanë shtruar pyetje kryeministrit, ose ministrave në legjislaturën aktuale.

Ai deklaroi se edhe anëtarët e kabinetit qeveritar shpesh kanë qasje shpërfillëse ndaj Kuvendit, nuk u përgjigjen ftesave të komisioneve për raportim dhe nuk janë të pranishëm në komisione.

Por Krasniqi konstatoi se Kuvendi ka përmirësuar transparencën.

“Sa i përket transparencës, Kuvendi ka shënuar një progres. Ka  miratuar dhe funksionalizuar së fundi sistemin për përcjelljen e miratimit të ligjeve, e po ashtu deklaratën për transparencë parlamentare dhe janë duke u organizuar edhe debate me qytetarët përmes forumit për transparencë parlamentare”, tha ai.

Megjithëkëtë, sipas Krasniqit raportet financiare të Kuvendit vonohen të publikohen.

“Raporti i fundit financiar i Kuvendit është ai i tremujorit të parë të vitit 2017 dhe nuk janë për periudha të tjera të cilat do duhet të publikoheshin”, tha Krasniqi.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se ky institucion është i stërngarkuar me çështje që po politizohen e po kalojnë në përplasje personale.

“Ka pasur një politizim edhe kur futemi tek çështjet kur flasim për faturat e energjisë, mandej kalohet në çështje personale e në çështje të cilat nuk kanë të bëjnë më temën në të cilën thirren debate, ose interpelanca parlamentare”, tha Veseli.

Veseli konstatoi se kjo gjendje në Kuvend mund të tejkalohet nëse arrihet konsensus politik për interesin e përgjithshëm nacional.

“Jemi parti politike, është legjitime, e është luftë politike për primat, por ne shpesh e teprojmë me këtë pjesën. E bëjmë një teprim që nuk po na sjellë pastaj një kredibilitet edhe para qytetarëve tanë“, tha kryekuvendari Veseli.

Veseli kërkoi nga Komisioni për Buxhet dhe Financa të publikojë raportet financiare të Kuvendit.

Ai i vlerësoi të rëndësishme kritikat që Kuvendi merr nga shoqëria civile dhe mediat.

“Roli kritik i cili vie nga shoqëria civile dhe nga media asnjëherë  nuk u bën dëm institucioneve, pavarësisht në raste specifike kur  mund të jetë edhe tendencioz, nuk e përjashtoj, por nuk u bëjnë dëm institucioneve. Përkundrazi, në masën absolute vetëm sa e përmirësojnë punën e institucioneve“, tha Veseli.

Veseli tha se duhet të vazhdohet bashkëpunimi me KDI-në, ndërkaq, Artan Murati nga KDI-ja prezantoi Platformën “Vota Ime”, që u tha se është në shërbim të rritjes së transparencës së punës së Kuvendit.

16 Maj 2018 - 15:06

Margarita Rashiti 16/05/2018 - 15:06
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend