Deputetët diskutuan për rolin e Kuvendit në dialogun e Brukselit – Foto: KALLXO.com

KDI: 75% e Qytetarëve të Pakënaqur me Rolin e Kuvendit në Dialog

Përfaqësuesit e komisioneve parlamentare janë mbledhur sot për të diskutuar në lidhje me procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Me ftesë të kryetarit të Komisionit parlamentar të Punëve të Jashtme, Elmi Reçica, deputetët diskutuan për rolin e tyre në procesin e dialogut.

Ky takim u bë në bashkëpunim me KDI-në.

Përfaqësuesja e kësaj OJQ-je, Jeta Krasniqi, tha se sipas një sondazhi të kësaj organizate, rreth 75% e qytetarëve nuk janë të kënaqur me rolin e Kuvendit në procesin e dialogut.

“Një sondazh i KDI-së gjen se rreth 75% e qytetarëve janë të pakënaqur me rolin monitorues që Kuvendi e ka pasë ndaj Qeverisë në procesin e dialogut”, tha ajo.

Ndërsa deputeti Reçica e përmendi faktin se Kuvendi i Kosovës e ka miratuar një rezolutë, përmes të cilës i ka pezulluar bisedimet.

“Ju e dini që ne kemi një rezolutë për pezullim të dialogut. Me 27 shpresojmë se do të kthehet z. Haradinaj dhe ne pastaj sigurisht që duhet të vazhdojmë me procesin e dialogut. Dialogu është rruga jonë drejt integrimit evropian”, tha Reçica.

Ndërsa deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se dialogu nuk i ka sjellë asgjë të mirë Kosovës.

“Ne nuk jemi për këtë lloj të dialogut. Për shkak të këtij dialogu ne sot kemi buxhet paralel, kemi gjykatë etnike, kemi amnistimin e kriminelëve serbë, kemi Listën Serbe që ka dalë nga procesi i dialogut, kemi Asociacionin e Komunave Serbe, pra kemi një varg marrëveshjesh të cilat bien ndesh me interesat e qytetarëve të Kosovës”, tha ajo.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Muhamet Mustafa, kritikoi Kuvendin për shkak se nuk ka bërë më shumë që Qeveria të jetë më transparente.

“Na duhet me kritiku Qeverinë për mostransparencë por ama na duhet me kritiku veten ma shumë që s’kemi bërë më shumë që këta të raportojnë. Është hera e parë që ne takohemi për të diskutu këtë çështje. Sikur ne të bisedonim ma shpesh, transparenca do të ishte ma e madhe dhe qytetarët do të ishin më të informuar”, tha deputeti Mustafa.

Pas një diskutimi në mes të Mustafës dhe deputetes Haxhiu, kjo e fundit e lëshoi mbledhjen.

Ndërsa deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, lavdëroi disa prej marrëveshjeve të Brukselit, për shkak se siç tha ajo institucionet tona kanë shtrirje të plotë në gjithë territorin e Kosovës.

Dialogu me Serbinë është pezulluar nga Kuvendi i Kosovës përmes një rezolute të miratuar muajin e kaluar, ku thuhet se dialogu nuk do të vazhdojë pa lirimin e plotë të Ramush Haradinajt, i cili po mbahet në Francë për shkak të një fletarresti serb.

http://kallxo.com/kuvendi-miratoi-rezoluten-per-haradinajn-2/