Foto-ilustrim

Katër të Arrestuar për Posedim Narkotikësh

Në 24 orët e fundit policia në katër rajone të ndryshme të Kosovës ka arrestuar katër persona nën dyshimin për posedim marijuane.

Në Gjakovë është arrestuar një shtetas i Shqipërisë për posedim marijuane dhe të një mulliri që shërben për bluarjen e saj.

Gjatë arrestimit, sipas raportit policor, është lënduar një polic, ndërsa të dyshuarit i është caktuar ndalimi policor.

Arrestim i një personi për posedim marijuane ka ndodhur edhe në Ferizaj, ndërsa të arrestuarit i janë gjetur 12 paketime të këtij lloji të drogës.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar.

Policia ka gjetur dhe konfiskuar marijuanë edhe gjatë kontrollit të një personi në Gjilan. Edhe ky person është liruar pas intervistimit.

Edhe në Prizren dje ka ndodhur një arrestim për posedim marijuane, ndërsa i dyshuari për të është liruar.

KALLXO.com shpesh ka publikuar video të aksioneve të policisë në luftën kundër narkotikëve.