Karateistët kosovarë sërish nuk lejohen të hyjnë në Serbi

Ekipi kosovar i karatesë është kthyer sërish nga pika kufitare me Serbinë në Merdar, pa mundur të hyjë në territorin e shtetit fqinj.

Pasi i ishte ndaluar hyrja në Serbi në mëngjes, drejtuesit e Federatës së Karatesë ishin vënë në dispozicion të negociatave për ta mundësuar shkuarjen në turneun karatesë në Novi Sad.

Kombëtarja e karatesë do të duhej të merrte pjesë në kampionatin europian të karatesë, që mbahet në Novi Sad.

Por Ismet Krasniqi, kryetar i Federatës së Karatesë së Kosovës, tha për BIRN se edhe përpjekja e dytë për të shkuar në Serbi ka dështuar.

“Pas marrëveshjes mes Komitetit Olimpik të Kosovës, Komitetit Olimpik të Serbisë, Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe Federatës së Karatesë, jemi nisur por sërish na është ndaluar hyrja. Tani po kthehemi. Marrëveshja ka qenë që të mos përdorim simbole të Kosovës gjatë rrugës për në Novi Sad për shkaqe sigurie”, tha ai.

Krasniqi përgënjeshtroi raportimet e mediave serbe se ka pasur marrëveshje që karateistët kosovarë të garojnë në Novi Sad pa simbole shtetërore.