Kapja e Bordeve nga Partitë në Pushtet

Sonte në emisionin “Jeta në Kosovë” u diskutua për politizimin e bordeve të ndërmarrjeve publike dhe agjensive të pavarura në Kosovë.

Shoqëria civile vlerëson që ky fenomen vazhdon të jetë ende problematik, edhe pse kanë kaluar 8 vjet që nga bartja e kompetencave që anëtarët të propozohen nga qeveria, për t’u miratuar më pas nga kuvendi.

Të ftuarit e Muhamet Hajrullahut diskutimin e ndërtuan mbi pyetjen se a janë këto borde politike apo borde ekspertësh profesionalë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar shumicën e këtyre bordeve, në të cilat ka gjetur shkelje të ligjit në emërime përmes emërimeve të njerëzve të lidhur me partitë apo të afërt me drejtuesit e partive në pushtet, PDK dhe LDK.

“Duhet të debatojmë për cilësinë e bordeve për pavarësinë politike dhe cilësinë profesionale”, tha deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik.

Sipas tij, pas luftës ka pasur infiltrim politik në borde ndërsa u shpreh se neutraliteti absolut politik nuk mund të ekzistojë.

E për Burim Ejupin nga INDEP, ndarja partiake e pozitave në institucione ka qenë e paraparë qysh para një viti në pikën 8 të marrëveshjes për koalicion ndërmjet PDK-së dhe LDK-së.

Por këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Sokol Havolli, mohoi një gjë të tillë. Ai nuk përjashtoi mundësinë që të ketë pasur ndonjë lëshim meqë, sipas tij, kanë qenë 1,800 aplikacione të atyre që kanë dashur të bëhen pjesë e bordeve të ndërmarrjeve dhe agjensioneve.

“Ka pasur një konkurs dhe aty ku kandidojnë 1800 veta, ka mundësi të ketë njerëz të partive politike”, tha ai.

“Janë 18 anëtarë bordesh të zgjedhur në kundërshtim me ligjin”, iu kundërpërgjigj Ejupi-Havollit.

Për Agron Demin e GAP-it, këto borde janë ri-kapur nga politika.

“Bordet nuk janë profesionale, janë të politizuara dhe nuk po ofrojnë shërbimet siç duhet”, tha Demi duke shtuar që kanë kërkuar disa herë që disa nga anëtarët e bordeve të rishikohen.

Për më tepër ata kanë kërkuar edhe nga Bashkimi Evropian që të depolitizohen bordet e agjensive të pavarura.

Të mërkurën, nga ana tjetër, Bashkimi Evropian kërkoi që depolitizimin e ndërmarrjeve dhe institucioneve publike.

http://kallxo.com/be-kerkon-depolitizim-te-ndermarrjeve-publike-dhe-institucioneve-publike/

Madje sipas tij janë dy ambasadorë i kanë shkruar Kryeministrit për të kërkuar ndryshime në bordin e ujësjellësit rajonal “Prishtina”.

Këshilltari i kryeministrit e pranoi se një letër e tillë ka ekzistuar.

“Kryeministri është takuar me ata dy ambasadorë por nuk e di cili është rezultati i atij takimi”, tha Sokol Havolli.

Ndërsa Burim Ejupi tha që ka asamblistë në komunë që janë anëtarë bordesh dhe kjo, sipas tij, është në kundërshtim me ligjin.

Por Mustafa e Havolli u shprehën që nëse emërimet janë të kundërligjshme, ata duhet të largohen.

Bordi i ARKEP, Pikëpyetje për Politizimin dhe Kualifikimet

Bordi i AKP-së me Anëtarë të Pensionuar

ZRrE e Pushtuar nga Partitë në Pushtet

Posta e Kosovës- – Bordi Politik që Dëshmon Pafuqinë e Kryeministrit

Aeroporti i Gjakovës nën Kontroll të PDK-së