Dragan Vasiljkoviç, i njohur ndryshe si Kapiten Dragani, në gjykatë në Split. Foto: BETAPHOTO/HINA/Mario STRMOTIC/MO.

Kapiteni Dragan Kritikon ‘Gjyqin Fashist’ në Kroaci

Dragan Vasiljkoviq, i cili po gjykohet për krime lufte në qytetin kroat të Splitit, tha në deklaratën e tij në gjykatë të enjten se ai është i pafajshëm dhe se gjykimi i tij është i motivuar poltikisht, njoftoi gazeta The Australian.

“Ky është një proces shtypës fashist”, u tha ai gjykatësve, sipas The Australian.

Vasiljkoviq, një qytetar australian me origjinë serbe i njohur në Ballkan si kapiteni Dragan, akuzohet për krime lufte kundër civilëve dhe të burgosurve të luftës, gjatë kohës që ai ishte komandant i Njësisë Serbe të Operacioneve Speciale e dërguar për të ndihmuar paraushtarakët serbë në Kroaci gjatë rebelimit të tyre të armatosur mes viteve 1991 dhe 1995.

Ai këmbënguli se ishte i pafajshëm për të tria akuzat, përfshirë akuzën për vrasjen e civilëve të paidentifikuar në qytetin e Bruskës.

“Ato janë thjesht pretendime idiote nga njerëz që s’i kam parë kurrë në jetën time”, tha ai në deklaratën e tij përfundimtare, raportoi The Australian.

“Ata më akuzuan për vrasje të njerëzve që nuk ekzistojnë. Një nga dëshmitarët që tërhoqi deklaratën e tij dëshmoi se unë s’kam qenë kurrë komandant në Bruska dhe në fund të dëshmisë së tij dëshmitari më pyeti: ‘Kush je ti?’ kur më pa në gjykatë”, shtoi ai.

Vasiljkoviq akuzohet gjithashtu për torturim, keqtrajtim dhe vrasje të ushtarëve dhe policëve kroatë të burgosur në qershor dhe korrik të vitit 1991 në kalanë e Kninit dhe në shkurt 1993 në Bruska.

Ai akuzohet gjithashtu për organizim dhe drejtim të sulmit në fshatra, si edhe në një rajon policie në Glina – sulme në të cilat u vranë dy persona.

Sipas aktakuzës, ai ishte komandant i qendrës së trajnimit për një njësi paraushtarake speciale të quajtur Alfa.

Vasiljkoviq u vetëdeklarua jofajtor në seancën fillestare në shtator.

Ai u deportua në Kroaci nga Australia në korrik 2015, ku kishte vite që jetonte me emrin Daniel Snedden dhe punonte si instruktor golfi.

Ai kishte kaluar nëntë vjet në paraburgim, ndërsa luftonte ekstradimin e tij.