Arkiva - Foto: KALLXO.com

Kapet në Flagrancë i Dyshuari për Fajde

Njësia e Krimeve Ekonomike dhe Anti-Korrupsion në Gjilan ka ekzekutuar dje urdhëresën e Gjykatës Themelore të Gjilanit dhe në flagrancë e ka arrestuar të dyshuarin për fajde.

Sipas një komunikate të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, i dyshuari V.M. (1949) është takuar në një qendër tregtare të qytetit me ankuesin me qëllim që t’i pranojë 21,000 euro  kamatë-fajdeje për paratë që i kishte dhënë prej vitit 2009 deri në vitin 2012 edhe përkundër që gjatë vitit 2015 i dyshuari kishte pranuar nga ankuesi borxhin bazë 6,500 euro, si dhe në emër te kamatës kishte pranuar edhe një sasi të konsiderueshme të hollash.

I dyshuari nga shuma totale që i kishte dhënë ankuesit ishte 6,500 euro ndërsa në emër të kamatës kishte kërkuar edhe 21,000 euro.

Njësitet policore kundër krimeve ekonomike në flagrancë kanë ndalur dhe arrestuar të dyshuarin deri sa ishte duke biseduar me viktimën.

I dyshuari është intervistuar në lokalet e Policisë së Kosovës në prani të avokatit mbrojtës.

Më pas është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarit, ku është gjetur dhe sekuestruar përkohësisht një kartëmonedhë në vlerë prej 500 euro, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar.

Në lidhje me rastin ka qenë i njoftuar prokurori i shtetit dhe i njëjti ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar për 48 orë. Rasti është duke u hetuar.

Më 8 shkurt Policia kishte njoftuar për arrestimin në Gjilan edhe të tre të dyshuarve për fajde.

http://kallxo.com/arrestohen-tre-te-dyshuar-per-fajde/