Droga e sekuestruar gjatë operacionit të 11 marsit - Foto: Policia e Kosovës

Kapen 80 Kg Drogë, Arrestohen 5 të Dyshuar

Pas një pune operativo-hetimore në terren, Policia ka arritur të sigurojë informacione të sigurta se disa të dyshuar janë të përfshirë në veprën penale blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve.

Për këtë arsye, mbrëmë rreth orës 23:00, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë me njësitet e saja policore në Prishtinë dhe Gjakovë të asistuara edhe nga njësitet e tjera policore me urdhër të prokurorit kompetent kanë realizuar një operacion, gjatë të cilit janë arrestuar pesë persona të dyshuar.

Sipas Policisë këta persona ishin në posedim të 32 kilogramëve marihuanë, por pas kontrollimit të lokacioneve, prona të personave të dyshuar, janë gjetur dhe sekuestruar edhe një sasi e konsiderueshme e substancës narkotike, e cila në total arrin peshën prej 79 kilogramë e 863 gramë.

Personat e dyshuar që janë arrestuar janë: U.Gj. (viti i lindjes 1971, mashkull, shtetas kosovar), M.B. (1989, mashkull, shtetas kosovar), D.M. (1982, mashkull, shtetas i Serbisë), J.V. (1973, mashkull, shtetas i Serbisë), dhe R.Zh. (1980, mashkull, shtetas i Serbisë).

Ndërsa, në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: dy vetura, njëra me targa RKS dhe tjetra me targa të Serbisë, një armë gjahu, një pushkë ajrore, një revole “Volter” me dy karikatorë, një karikator i “AK-47”, 15 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 10 fishekë dhe dy gëzhoja të kalibrit 12 mm, 4,500 euro para të gatshme, 7,920 dinarë para të gatshme, telefona celularë dhe dokumentacione (pasaporta), etj.

Me vendim të prokurorit kompetent të njëjtëve u është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.