Kapakë të Shisheve të Plastikës për Karroca

Është e qartë që Kushtrim Ahmeti s’është tip i zakonshëm. Faktikisht,  Libri Guinness i Rekordeve po e llogaritë si kandidat dhe në qershor do të vendoset nëse ai mund të marrë vendin e tij së bashku me lumin më të gjatë të botës (po, e kemi fjalën për Nilin. Ah, po, ose Amazonin! Vendosni vetë), topin më të madh prej shiritave të gomës (më shumë se 4000 kg) dhe numrin më të madh të vezëve që janë grimcuar me kokë brenda një minute (80, në New York). Ecja e tij drejt famës do të jetë shumë më e dobishme sesa një top katërmijë kilogramësh – ai ka mbledhur 235 tonë të kapakëve të shisheve të plastikës. Dhe ndryshe nga personi që ka shtypur ato vezë me kokën e tij, Kushtrimi ka thyer rekordin me qëllim për të bërë diçka të mirë. Jo vetëm që ai e sheh grumbullimin e këtyre kanaqeve si mënyrë për t’i mbajtur lumenjtë të pastër (Nil, Amazon dhe Drini i Bardhë njësoj) si dhe peizazhet rreth atyre, por ka ngritur fonde përmes shitjes së kapakëve në një kompani të riciklimit që të mund të blejë karroca për njerëz me aftësi të kufizuara. Deri më tash ai ka ngritur mjaft fonde që i kanë lejuar të shpërndajë 1180 karroca.

Me prejardhje nga Kosova, Kushtrimi aktualisht banon në Turqi, por projekti i tij pritet të mbërrijë në vendlindje. Përmes një ndërlidhje me Charity Club në Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK), mbledhja e kapakëve tash filloi edhe në Kosovë, dhe karrocat që do te blihen me fitime do të shkojnë te familjet kosovare. Karrocat janë prodhuar në Gjermani, kushtojnë 450 euro në treg, dhe transporti i tyre organizohet përmes Ambasadës Turke në Prishtinë. Gjithashtu Ambasada Turke ndihmon në dërgimin e kapakëve në kompaninë për riciklim, Muzaffer Pinarbasi Isletmeler në Izmir, mbasi nuk ka kompani në Kosovë që riciklojnë këtë lloj plastike.

Hollësitë teknike për riciklimin e plastikës mund të duken kaq të komplikuara aq sa njeriu vendos të mos provojë kurrë që të ndajë bërllokun e shtëpisë – edhe në qoftë se jetojmë në një vend ku shërbimet e pastrimit komunal mund të mbledhin mbeturinat e ndara. Fakti kryesor është që lloji i plastikës për shishet dallon prej llojit të plastikës për kapakë, pra që secili të riciklohet në mënyrë efikase, duhet të trajtohen ndaras. Kjo ndarje kërkon shumë punë, prandaj duke hequr vet kapakët e keni ndihmuar zinxhirin e riciklimit. Faktikisht, ndoshta po e bëni vendin më të sigurt ngase kapakët e shisheve u shkaktojnë lëndime punëtorëve në fabrikat e riciklimit nëse i mbajnë tek shishet kur ato shtrydhen me trysni, mjaftueshëm për t’i përshpejtuar kapakët dhe për t’i hedhur ata në fytyrat e njerëzve përreth. Jo vetëm kaq, por nëse hiqni kapakët para se bërlloku del prej shtëpisë, ata që i grumbullojnë shishet për riciklim (në rastin e Kosovës jo shërbimet e pastrimit por ricikluesit jozyrtarë që udhëtojnë nëpër kontejnerët e qytetit duke kërkuar mbeturina që mund të shiten, siç bëjnë Agroni dhe kolegët me të cilët jeni takuar në këtë kolumne më herët) mund të shtrydhin plastikën dhe kështu të nxënë hapësirë më shumë në karrocë, ashtu që i tërë procesi i riciklimit të bëhet më efikas.

Pra për shumë arsye ne të gjithë duhet të grumbullojmë kapakë dhe t’i dërgojmë ata në Charity Club të AUK-ut. Siç thotë Kushtrimi, me këtë projekt shpresojmë që “përveç ndihmës që do t’ua sigurojmë qytetarëve me nevoja të veçanta, do të mundohemi me kriju një ambient më të pastër sidomos duke e ditur se plastika është një element shumë i dëmshëm që i nevojitet afër 400 vite për tu asgjësuar”.

Charity Club në AUK tashmë ka më shumë se 80kg kapakë të grumbulluar nga studentët e këtij universiteti si dhe bizneset private dhe OJQtë, dhe po shpresojnë që së shpejti do të arrijnë në 250kg që nevojiten për një karrocë. Ata kanë identifikuar tetë familje kosovare që kanë nevojë për karrocë dhe plani i tyre është që të shpërndajnë karrocat e para më 7 prill, edhe pse do të vazhdojnë me projektin derisa vazhdojnë të marrin kapakë, prandaj mblidhni dhe dërgoni kapakët te ata. Ata mund të jenë kapakë të çfarëdo ngjyre dhe madhësie.

Për më shumë informata ose për të aranzhuar dërgimin e kapakëve të grumbulluar, mund të kontaktoni AUK Charity Club në [email protected], ose mund të sillni kapakët në ngjarjen Green Drinks/ Pijet e Gjelbra të organizuar nga The Ideas Partnership të enjten e dytë të çdo muaji në lokalin N’Kllapa.

Elizabeth Gowing është autorja e Travels in Blood and Honey; becoming a beekeeper in Kosovo, të botuar vjet. Gjithashtu ajo është themeluesja e OJQ’së The Ideas Partnership, të regjistruar në Kosovë me punë në projekte arsimore, mjedisore dhe kulturore. Mund të kontaktohet në [email protected]