Kanali i Ujitjes Peng i Ankesës për Dëmtim Prone

Imer Bajramaj nuk po lejon kryerjen e punimeve në kanalin e ujitjes nga Komuna e Istogut, pasi po thotë se po i cenohet prona.

Bajramaj nga fshati Gurrakoc i Istogut që një vit ka ndaluar punimet e “Kanalit të Gogës”, ndërsa është ankuar në KALLXO.com se ky kanal po i shkakton dëme.

“Për atë arsye është ndalur projekti vjet, edhe katundi nuk kanë mujt për mbi 100 hektarë me ba vaditjen, janë kanë t’u punu po katundi ka bërë tolerim.  Për sivjet kanë thanë (komuna) e zgjidhim problemin, as nuk janë ardhë me zgjidhë problemin (me pronë), është mshel kanali në tana anët. Si të lëshohet uji nuk ka shansa pa me hyrë mua në oborr, unë nuk e lejoj në pronë se duhet dëmshpërblim prej shtetit”, tha Bajramaj.

Bajramaj i cili jeton në Gjermani, thotë se sa herë vjen për pushime në shtëpinë e tij, pronën e ka të stërmbushur nga mbeturinat që dalin nga kanali.

“Dëme shumë të mëdha, edhe në tokë, edhe në shtëpi, edhe pemë. Unë s’muj me mbjellë asgjë, as prej pemëve, as kurrgjë. Qe ku e kam bahçen, po s’muj me marrë send prej tyre hiç se janë krejt të ndyta”, ankohet ai.

Beqir Metaj, drejtor për Bujqësi në Komunën e Istogut mohon se kanali është i ndërtuar në pronën e Bajramajt.

“Kam bërë kërkesë në urbanizëm në sektorin e kadastrës, kemi dalë në terren dhe i kemi vënë pikat dhe kanali dhe ajo pjesë është pronë e kompanisë rajonale ‘Drini i Bardhë’, është pronë shoqërore. Masi kemi vendosur pikat, pronari në fjalë që është ankuar i ka hekur ato shenja që i kemi vënë na”, shpjegon drejtori Metaj.

Metaj sqaroi më tutje se Imer Bajramaj ka vendosur disa pika tjera pas matjeve të bëra nga disa gjeodetë privatë. Edhe Bajramaj e pranon se pretendon që po i cenohet prona në bazë të matjeve të bëra nga disa gjeodetë nga Malisheva.

Bedri Haxhiaj, kryeshefi i Kompanisë Rajonale për Ujitje “Drini i Bardhë” tha për KALLXO.com se përsëri gjeodetët e komunës pritet të dalin për të bërë matjet te prona kontestuese.

“Kemi bërë kërkesë në Komunën e Istogut që sërish të dalin gjeodetët komunalë ta bëjnë matjen. Kësaj radhe kemi kërkuar të jenë prezente të gjitha palët në vend të ngjarjes. Nëse nuk arrihet zgjidhje as kësaj radhe do t’i drejtohemi gjykatës ta zgjidhë problemin,” tha Haxhiaj.