Kanabis në Serrën e Pejës, të Kamufluara si ‘Fshesa’

Pamje të shkatërrimit të 23 bimëve të kanabisit dhe arrestimi i gruas e cila dyshohet se i ka mbjellë ato rrënjë, u shfaqën në Rubrikën “Policia” të emisionit “Drejtësia në Kosovë”.

Në Rubrikën “Policia” u shfaq aksioni ku policia shkatërroi një serë me bimë kanabisi të cilat ishin të gatshme për tu korrur.

Në pamjet filmike të shfaqura e të cilat janë bërë natën e 15 shtatorit shihet teksa pjesëtarët e policisë në bazë të punës hetimore dhe informacioneve arritën që ta lokalizojnë një serrë ku gjindeshin rreth 23 bimë kanabisi dhe mbetje të bimëvë të cilat sipas policisë nuk ishte hera e parë e kultivimit të tyre.

Sipas zyrtarëve policorë të rajonit të Pejës, e dyshuara kishte tentuar t’i fshehi ato me disa perime të mbjella.

E pyetur se pse i kishte mbjellur, e arrestuara u përgjigj se i ka blerë dhe mbjellur për të krijuar “fshesa për shtëpi”.

Në këto pamje mund të shihet edhe asgjësimi i kanabisit nga ana e policisë.

Para shkatërrimit policia mori disa fletë kanabisi për ekzaminim, ndërsa në një vend tjetër kreu asgjësimin duke mos i penguar asujt.

Nga bima kanabis sativa prodhohet substanca narkotike marijuanë. Llogaritet që një bimë e tillë prodhon rreth gjysmë kilogrami lëndë narkotike, e cila në treg shitet në shuma deri në 1,000 euro për kilogram.