Kamerieri Dëshmon për Vrasjen në ‘Bon Vivant’

Dëshmitari Arben Rexhepi, i cili punonte kamerier në “Bon Vivant”, ka treguar në detaje atë që ka parë në momentin kur u vra roja i sigurisë i kafiterisë, Rrahman Uka.

Për vrasjen që ka ndodhur më 14 tetor 2014 në qendër të Prishtinës të akuzuar janë Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi.

Arben Rexhepi tha se atë ditë po i kryente punët e tij të zakonshme dhe e kishte parë tashmë të ndjerin Rrahman Uka duke biseduar me dy persona.

Teksa isha duke pranuar një porosi e kam parë Rrahmanin duke ikur në drejtim të terasës, tha ai.

“Unë kam tentu me hip shkallëve lartë me hy në sallë, me marrë një porosi tjetër dhe e kam parë Rrahmanin tu ikë tu ardhur drejt meje. Unë u shtanga dhe nuk shifsha kurrgjë mbrapa Rrahmanit, por në momentin që Rrahmani u përkul, kur u përkul Rrahmani ka hy ndër tavolina dhe unë e kam parë personin me revole mbrapa Rrahmanit, përballë meje se kur është përkul Rrahmani i ka ra revolja drejt meje”, tregoi ngjarjen dëshmitari.

Më tej Arben Rexhepi tha se ndihet me fat që revolja nuk kishte shkrepur drejt tij.

“Me përkuljen e Rrahmanit mbeta unë përballë armës por për fat të mirë arma nuk I shkrepi pasi do të kishin mbet viktima edhe shumë të tjerë”, dëshmoi Rexhepi.

Dëshmitari tregoi më pas se si kishte dëgjuar krismat që i morën jetën Rrahman Ukës, por mohoi të ketë parë se kush shtiu në të.

“Nga momenti që Rrahmani ka tentuar me dalë pas tyre, ka vrapuar pas tyre, unë më s’kam pa kurrgjë veç jam fshehur  pas murit edhe veç kur i kam dëgjuar krismat”, tha ai.

Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi edhe në seancën e sotme ku u dha fjala hyrëse nga prokuroria dhe avokatët mbrojtës u deklaruan të pafajshëm, ndërsa seanca e radhës u caktua për më 18 tetor.