Kamberi: Kosova e Fortë dhe Stabile, Garanci për Luginën e Preshevës

Shaip Kamberi, njëri nga dy deputetët e komunitetit shqiptar në Parlamentin serb, në një intervistë për KALLXO.com thotë se diskriminimi i shqiptarëve në Serbi po vazhdon edhe sot.

Kamberi vlerëson po ashtu se kriza aktuale politike në Kosovë është shqetësuese për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Serbi.

“Mendojmë që Kosova e fortë dhe stabile, duke qenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, është një garanci shumë e fortë edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, thekson ai.

Shaip Kamberi sugjeron që opozita kosovare duhet patjetër të fillojë me dialog të mirëfilltë për t’i tejkaluar të gjitha ndasitë rreth çështjeve kruciale, qoftë për Asociacionit (e Komunave me shumicë serbe) apo demarkacionin (me Malin e Zi).

“Në këtë mënyrë, shteti i Kosovës të futet në fazën e ndërtimit të demokracisë së mirëfilltë dhe në bazë të kësaj të krijojë edhe parakushte që ta mbrojë edhe popullatën në Luginë të Preshevës”, tha Kamberi.

Sa i përket gjendjes së shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës, Kamberi tha se nuk janë bërë hapa përpara. “Vazhdon një diskriminim shtetëror, i instaluar në vitet e diktaturës së Millosheviqit”, shton ai.

Rezultatet e procesit për përmirësimin e gjendjes pas konfliktit të armatosur të vitit 2001 dhe demobilizimit të UÇPMB-së janë të pakta, vlerëson ai.

“Në veçanti duhet vlerësuar diskriminimin në sferën e ekonomisë dhe të arsimit”, shton Shaip Kamberi. Sa i përket diskriminimit në arsim, ai vlerëson se rol të madh luan mosnjohja e diplomave të të rinjve shqiptarë që përfundojnë fakultetet në universitetet e Kosovës.

Sipas tij, mungesa e perspektivës ekonomike po prodhon azilantë në vendet perëndimore dhe njëkohësisht po e zvogëlon bërthamën shqiptare. Kështu po ndodhë ajo që ai e quan pastrim etnik. [interaction id=”56e58eab518248f65e913b98″]

Ndërsa për implementimin e marrëveshjeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit ai tha se është përkrahur ky dialog duke menduar se relaksimi i raporteve do të ndikonte në jetën e shqiptarëve në Luginë.

“Marrëveshja që po pritet me muaj të implementohet është ajo e njohjes reciproke të diplomave në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Ajo është dashur të fillonte më 1 mars por me gjasë zgjedhjet e paralajmëruara në Serbi do të ndikojnë që implementimi i saj të shtyhet”, theksoi Kamberi, teksa shton se sa më parë që implementohet aq më mirë për të shqiptarët e Luginës, fati i të cilëve është i lidhur me këtë marrëveshje.

Ndërsa sa i përket mungesës së teksteve shkollore për shqiptarët atje, Kamberi thotë se duhet të bëhet një zgjidhje e shpejtë, sepse nxënësit po mësojnë me libra joadekuatë.

Sa i përket të ardhmes së përfaqësuesve shqiptarë në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi tregon për thirrjen që të gjitha partitë shqiptare të shkojnë me një koalicion të përbashkët në zgjedhjet që janë paraparë të mbahen në prill të këtij viti, “në mënyrë që popullata shqiptare e Luginës së Preshevës të ketë jo dy por më shumë vende në Parlamentin republikan, pra që ata të jenë të prezantuar në mënyrë më dinjitoze”.