Komisioni parlamentar për Legjislacion - Foto: KALLXO.com

Kalon Testin e Parë Projektligji që Forcon Pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit

Katër vota për, dy kundër dhe një abstenim i kanë dhënë fund një diskutimi dyorësh të Komisionit për Legjislacion lidhur me 6 nene të Projektligjit që synon të ndryshojë dhe plotësojë Ligjin aktual të Prokurorit të Shtetit.

Kësisoj, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit u miratua në parim nga Komisioni për Legjislacion si një nga pikat e rendit të ditës.

Qysh në fillim të mbledhjes, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, shpjegoi ndryshimet e propozuara dhe qëllimin që ato synojnë.

“Mundësinë që Kryeprokurori i shtetit të mund të caktoj prokurorët në Prokurorinë Speciale sipas nevojave urgjente dhe ngarkesës me lëndë në këtë prokurori sepse kjo prokurori është e trajtuar me ligj të veçantë dhe është e ngarkuar me raste më të rënda dhe specifike në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe me qëllim është bërë një gjë e tillë”, tha Ministri Tahiri.

Përpos këtij ndryshimi, Tahiri para Komisionit arsyetoi edhe ndryshimet tjera e që janë barazimi i kritereve pranuese për Prokurori Speciale me ato për pranim në Departamentin e Krimeve të Rënda, mundësia që Kryeprokurori i shtetit të marrë në kompetencë për hetim dhe ndjekje penale lëndë të caktuara dhe heqja e kufizimit prej 25 %  të të ardhurave jashtë orarit të punës.

Megjithëse tha se me këto ndryshime në Ligj synohet rritja e efikasitetit të punës së prokurorëve dhe në veçanti atyre në Prokurori Speciale, disa nga anëtarët e Komisionit i kundërshtuan ato.

Kryesuesja e Komisioni për Legjislacion, Albulena Haxhiu, nuk pajtoi me asnjërin nga ndryshimet e propozuara, por veçanërisht  kundërshtoi zgjerimin e kompetencave për Kryeprokurorin.

“Propozimi aktual i shton kompetenca hetuese dhe ndjekjes penale kryeprokurorit të shtetit dhe halli im është që në sistemin tonë të drejtësisë që ka shumë probleme dhe kjo është diçka që dihet që është i kapur dhe i ndikuar nga politika shumë më lehtë është i kontrollueshëm një individ sesa një organ siç është Këshilli Prokurorial i Kosovës”, tha Haxhiu.

Në anën tjetër, deputeti Korab Sejdiu, ndonëse tha se e përkrah në parim zgjerimin e kompetencave të prokurorëve, ai kishte disa paqartësi në Projektligjin e propozuar.

“Kisha pasë dëshirë që për me ju përkrah që me rritë rolin e kryeprokurorit, njëkohësisht me na tregu edhe arsyen bazë se pse po e kërkoni këtë?”, pyeti Sejdiu.

“Asnjë rast në Kosovë nuk mund të shkoj te Kryeprokurori i shtetit, nëse nuk është i regjistruar në prokurorinë kompetente  dhe çdo rast që regjistrohet në prokurorinë kompetente sipas ligjit i jep të drejtë Kryeprokurorit që atë rast me marrë nën juridiksionin e vet, por s’mundet me marrë pa ndonjë arsyetim”, tha prokurori i shtetit Besim Kelmendi.

Me gjithë diskutimin dhe pikëpamjet e ndryshme lidhur me propozimet, Projektligji u miratua në parim dhe do të vazhdojë në procedurën ligjvënëse në Kuvendin e Kosovës.