Kuvendi i Kosovës | Foto: KALLXO.com

Kalon në Kuvend Programi Kombëtar për Zbatim të MSA-së

Programi Kombëtar për Zbatim të MSA-së u miratua në përpjekjen e dytë në Kuvendin e Kosovës me votat e 64 deputetëve.

Pas miratimit të tij, kryesuesi i mbledhjes Xhavit Haliti iu drejtua deputetëve me fjalët “Besoj që e bëmë një punë shumë të mirë”.

Por Haliti nuk e kishte të njëjtin disponim kur Programi Kombëtar për Zbatim të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit u nxor për herë të parë në votim.

Atëherë pro tij ishin vetëm 55 deputetë, ndërsa Haliti mungesën e vullnetit për të votuar nga ligjvënësit e quajti sabotim.

“Qe doni me sabotu gjithçka-vazhdoni sabotoni”, tha Haliti.

Para se të mos kalonte në Kuvend herën e parë, për Programin Kombëtar të Zbatimit të MSA-së folën ministrja e Integrimit Mimoza Ahmetaj dhe disa deputetë.

Ahmetaj tregoi në Kuvend koston e programit.

“Programi e ka edhe koston totale prej 484 milionë eurove, ku 389 milionë janë të ndara nga buxheti i Kosovës dhe 95 milion nga donatorët”, tha ministrja.

Ahmetaj konstatoi se në gjashtëmujorin e vitit të kaluar Kosova ka zbatuar detyrimet që dalin nga MSA-ja më shumë se 50 për qind.

Deputetja Vjosa Osmani kujtoi rëndësinë e zbatimit të MSA-së. Sipas saj pa këtë zbatim Kosova nuk mund të ecë tutje në rrugën evropiane.

“Diskutimi për zbatimin e MSA-së nuk duhet të mbetet vetëm teknik. Por duhet ta kuptojmë si Republikë e Kosovës se vetëm pas zbatimit të MSA-së mund të aplikojmë për statusin e kandidatit. Duhet të flasim për statusin e kandidatit, por në të njëjtën kohë të punojmë me seriozitet në zbatimin e masave të dala nga MSA-ja”, tha Osmani.

Ndërsa Valdete Bajrami nga Nisma ishte skeptike se Programi Kombëtar për Zbatimin e MSA-së do të implementohet.

“Kemi rezervat tona se ky program do të mund të zbatohet në përpikëri”, tha deputetja Bajrami.

Deputeti dhe nënkryetari i Kuvendit Sabri Hamiti   miratimin e programit e konsideroi çështje nacionale.

“Unë mendoj që sot duhet patjetër ta miratojmë këtë program, ngase është për 5 vjet, dhe për 5 vjet se ka kurrkush të garantume që ka me qenë në pushtet, as na që jem, e as ata që vijnë. Po flasim për projekte nacionale”, tha Hamiti.