Kallxo.com – Platformë Kundër Korrupsionit

Duke u kyçur në www.kallxo.com qytetarët do të kenë mundësinë të raportojnë për të gjitha rastet e keqpërdorimit, që nga niveli lokal e deri te ai qeveritar, duke përfshirë vendin se ku ka ndodhur, institucionin e përfshirë si dhe të japin informata tjera lidhur me rastin e raportuar.

Këto informata mund të jepen përmes internetit në adresën www.kallxo.com por edhe përmes telefonit dhe SMS-it. Për më vonë, është paralajmëruar edhe zhvillimi i një aplikacioni për smart-phone, përmes të cilit do të automatizohet i tërë procesi i raportimit të keqpërdorimeve të ndryshme.

Të dhënat nga raportimet do të paraqiten menjëherë në hartën e Kosovës për ta paraqitur edhe vizuelisht dukurinë e rasteve të raportuara të korrupsionit dhe keqpërdorimeve të tjera. Me intensifikimin e raportimit të rasteve, do të intensifikohen edhe rrathët në hartë duke paraqitur haptazi rajonin se për ku raportohet më shumë krimi dhe korrupsioni në Kosovë.

Kjo platformë është praktike dhe e thjeshtë për t’u përdorur nga të gjithë dhe ofron një adresë virtuale për të gjithë ata që duan të raportojnë korrupsionin dhe në këtë formë të bëhen faktorë aktivë në luftimin e kësaj dukurie mjaft të përhapur në Kosovë.

Ky projekt është bërë i mundur nga bashkëpunimi i Internews Kosova me partnerë si UNDP, BIRN, Agjencia Kundër Korrupsionit, Zyra e Prokurorit Disiplinor të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Policia e Kosovës, etj.
Osnat Lubrani, përfaqësuese e përhershme e aktiviteteve të UN-it në Kosovë, përmendi se si mediat sociale mund të jenë një instrument i fuqishëm zhvillimor.

“Mediat sociale mund të jenë një mjet shumë i fuqishëm në luftimin e padrejtësive. Shumë shtete tjera i kanë kthyer sytë dhe po i presin rezultatet e kësaj platforme, për t’i ndjekur hapat dhe mësimet nga www.kallxo.com. Ky ueb sajt është unik dhe i pari i këtij lloji në Ballkan dhe do të ndihmojë në identifikimin e rasteve të korrupsionit në Kosovë”, tha Lubrani.

Raportuesit e korrupsionit kanë rastin që edhe të ngarkojnë dokumente të ndryshme, fotografi apo video, të cilat do të dëshmonin se ka ndodhur rasti i korrupsionit, përderisa identiteti i qytetarëve të cilët raportojnë krimin do të mbetet konfidencial, thotë Faik Ispahiu, drejtor Ekzekutiv i Internews Kosova dhe producent i emisioneve Jeta në Kosovë dhe Drejtësia në Kosovë.

“Çdo javë marrim me dhjetëra e-maila për raste të korrupsionit dhe shkelje të ligjit nga gjitha komunat e Kosovës. Këto e-maila vijnë nga vetë shikuesit e emisioneve tona. Kjo platformë është krijuar pikërisht për të kanalizuar këto ankesa dhe që të kemi një pasqyrë më të qartë rreth këtyre rasteve”, tha Ispahiu.

Ispahiu përmendi edhe rëndësinë e bashkëpunimit të institucioneve të shtetit të Kosovës, të cilat e kanë obligim luftën e korrupsionit, siç janë Agjencia Kundër Korrupsionit, Policia e Kosovës, Prokuroria si dhe agjenci dhe institucione të tjera, të cilat sipas tij, do tëmund ta përdornin këtë platformë si një resurs shtesë për të hulumtuar rastet e paraqitura.

“Pas raportimit të rasteve në uebsajt, këto institucione duhet të marrin hapat e nevojshëm, ngase jo vetëm ne, por edhe qytetarët të cilët kanë raportuar kanë të drejtë të dinë se a po ndërmerr shteti diçka në lidhje me informatat e pranuara nga qytetarët. Ne do të raportojmë edhe për hapat të cilat ndërmerren nga institucionet shtetërore për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, në mënyrë që të sigurohemi se i tërë sistemi po funksionon”, tha Jeta Xharra, drejtoreshë e BIRN-it, duke e shprehur përkrahjen e organizatës së saj për platformën www.kallxo.com.

“Përpos që do presim nga qytetarët që të raportojnë korrupsionin, krimin dhe dukuritë e tjera negative, ne po ashtu presim edhe nga institucionet që duhet t’i luftojnë këto vepra të këqija, të komunikojnë me qytetarët po në këtë platformë, duke iu treguar dhe dëshmuar qytetarëve se informatat e tyre po shkojnë në vend të duhur”, tha Xharra.

Në këtë ceremoni u tha gjithashtu se statistikat tregojnë se në Kosovë mëse 70% e qytetarëve kanë qasje në internet, ndërsa mbi 50% posedojnë kompjuterë. Ky fakt ofron parakushtet për këtë platformë që të punojë në mënyrë të suksesshme.