Muri në çerdhen "Xixëllonjat"- si ishte dhe si është | Foto e ardhur në KALLXO.com

KALLXO.com Ndikon të Lyhet Çerdhja

Në KALLXO.com një javë më parë kishte ardhur një ankesë për mykun në Çerdhen “Xixëllonjat” të Prishtinës që po shkaktonte alergji dhe infeksione te fëmijët.

Ankesa ishte shoqëruar me fotografi të murit të zhubravitur, të mykur e të lagur pranë të cilit shiheshin lodra fëmijësh.

Ekipi i KALLXO.com mëngjesin e së mërkurës javën e kaluar shkoi që ta vizitojë këtë çerdhe, por u ndalua të hyjë nga edukatoret, ngase sipas tyre duhej kërkuar leje për vizitë nga Drejtoria e Arsimit në Prishtinë.

KALLXO.com kërkoi leje pastaj në këtë drejtori, por kjo kërkesë nuk mori përgjigje edhe pas një jave.

Megjithatë, ankesa në KALLXO.com dhe interesimi i kësaj platforme online për të vizituar çerdhen pati efekt të drejtpërdrejtë.

Të njëjtën ditë kur u kërkua qasje në ambientet e brendshme të çerdhes, raportuesi për këtë problem tregoi se te Kopshti “Xixëllonjat” që ndodhet në Lagjen “Pejton” të Prishtinës kishin ardhur disa punëtorë për të nisur lyerjen e murit të mykur.

Këta punëtorë ishte dashur ta nisnin punën e tyre në fillim të gushtit, por e nisën vetëm nga fundi i këtij muaji pas ankesës.

Ankuesi dërgoi sot fotografi të murit të lyer të kësaj çerdheje nga të cilat shihet se dallimi është i dukshëm.