Vallëzim me Balerinët e Kosovës dhe Shqipërisë

Balerinët nga Kosova dhe Shqipëria janë bërë bashkë në Teatrin Kombëtarë të Kosovës për të performuar shfaqjen “La Sylphide” e cila ka vazhduar udhëtimin e saj edhe në Shqipëri.

Shfaqja e cila temë kryesore e ka historinë e dashurisë së Silfidës ndaj të riut James është shfaqur në Kosovë me 31 mars kurse në Shqipëri me 1 dhe 2 prill.

Publiku gjatë gjithë kohës është magjepsur nga balerinat zana që kanë zotëruar skenën dhe nga magjistarja Magde e cila i frikësonte por edhe e bënte publikun që të qeshte me lëvizjet e saj.

http://kallxo.com/magjia-e-baletit-udheton-neper-prishtine-e-tirane/

Historia e cila nuk ka një fund të lumtur është konsideruar si një bashkëpunim vëllazëror nga kryetari i TKK-së, Ahmet Brahimaj.

“Është një bashkëpunim vëllazëror dhe interesi është i përbashkët sepse jemi duke punuar për një komb… Balerinët tonë e kanë fituar një eksperiencë të madhe skenike po ashtu është mirë që po bashkëpunojnë edhe me ata nga Tirana dhe po luajnë shfaqje të përbashkët“, u shpreh ai.

Brahimaj theksoi se dëshira që shfaqjet të jepen në Kosovë dhe në Shqipëri është shumë e madhe mirëpo nuk ekzistojnë mundësitë.

“Dëshira jonë është shumë më e madhe se mundësia për shkak se dihet që ka shpenzime, rruga, hotele, mëditjet dhe nuk kemi shumë mundësi buxhetore as ne por as ata”, tha ai.

Kjo është hera e dyte që po luhet një shfaqje e përbashkët nga balerinët e Teatrit Kombëtarë të Kosovës dhe Teatri Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.