KALLXO 360: Ministrja Injoron Deputetët në Komision

 

Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha ka anuluar raportimin e sotëm në Komisionin për Integrime Evropiane pa dhënë ndonjë arsyetim.

Pak minuta para fillimit të mbledhjes së Komisionit për Integrime Evropiane, Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha ka lajmëruar që nuk mund të e pranishme.

Kryesuesja e Komisionit, Njomza Emini i njoftoi deputetët anëtarë të Komisionit se Ministrja Hoxha ka lajmëruar rreth më pak se gjysmë ore para fillimit të mbledhjes për mungesën e saj.

Ndërsa kur është pyetur nga deputeti i LDK-së, Arben Gashi se a ka dhënë ndonjë arsye që nuk mund të vij, Emini tha që nuk iu është dhënë ndonjë arsyetim veçse ka kërkuar mirëkuptim duke thënë që do të vijë në ndonjë mbledhje tjetër.

Ajo gjithashtu tregoi se vet ministrja Hoxha e kishte konfirmuar pjesëmarrjen në këtë mbledhje.

Javëve të fundit, Dhurata Hoxha ka qenë në qendër të kritikave nga opozita dhe shoqëria civile pas vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Pas mungesës së ministres, deputetë vazhduan me pikat tjera të rendit të ditës, ku miratuan projektligjin faljen e borxheve si dhe projektligjin për sponosorizimin në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.

Ndërsa vendosen që të takohen edhe njëherë me kryesuese e komisionit për planifikim hapësinorë, Duda Balje, për të diskutuar rreth projektligjit për mbrojtje  nga zhurma, para se të shkohet në seancë për votim.