Kallxo 360: Kullat e Gurta në Boletin

Vendlindja e heroit të popullit shqiptar, Isa Boletini në kullat e gurta të fushëbetejave, vijnë në xhirim nga kamera e teknologjisë së fundit, 360 shkallë.

Në fshatin Boletin të Komunës së Zveqanit shtrihen disa kulla që i kanë rezistuar shekujve dhe sot janë dëshmi të betejave të një nga heronjve të njohur të popullit shqiptar.

Në mesin e shekullit XVIII, familja Boletini ndërtuan kullat e gurit  ku lindi edhe Isa Boletini, delegat nga Kosova në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912.

Kullat e gurit në vete mbajnë histori të shumë betejave të familjes historike si dhe tani, varrin e Isa Boletinit.

Ato u rindërtuan gjashtë herë, në pesë gjenerata të Boletinve që jetuan aty për shkak të shkatërrimeve nga pushtues të ndryshëm të asaj kohe.

Duke qenë simbol i rezistencës, Isa Boletini që në moshë të re u angazhua në ‘Lidhjen e Prizrenit’, në luftën kundër pushtimit të trojeve shqiptare.

Një nga betejat e tij të famshme shihet edhe sot në vrimat që kanë mbetur në një gur të kullave.

Kullat janë të vendosura në një pikë strategjike dhe kanë qenë të rrethuara me mur mbrojtës.

Është e veçuar e ashtuquajtura ‘Kullë e Burrave’, ku ka qëndruar edhe Boletini.

Këto kulla janë vendosur në mbrojtje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në të dhënat e kësaj ministrie, objektet kanë shërbyer edhe si shkollë, ndërsa në oborrin e shkollës  ndodheshin objektet tjera përcjellëse (hambari, koshi, stalla e lopëve etj.) të kompleksit në fjalë e që tani ato nuk ekzistojnë më

Isa Boletini, që jetoi dhe veproi në këto kulla, vdiq nga një atentat në Mal të Zi në janar të vitit 1916.

Ai u rrivaros në oborrin e këtyre kullave në vitin 2015.

KALLXO.com do të sjellë një seri të video reportazheve me kamerën 360 shkallë nëpër objekte dhe zona të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore