Kallxo 360 : Kalaja Mesjetare e Novobërdës nga të Gjitha Anët

Kulla mbrojtëse e monumente të shenjta mesjetare  që përbëjnë ‘Kalanë e Novobërdës’  vijnë të xhiruara nga kamera e teknologjisë së fundit, 360 shkallë.

Rajoni i sotshëm i Anamoravës mban në vete rrënojat e një qytetërimi të vjetër që sot e kësaj dite qëndrojnë si dëshmi të banimit të civilizuar mesjetar të zonës.

Kalaja e Novobërdës,  e shtrirë  ndërmjet fshatit Përlepnicë dhe Krivarekë, është pjesë e një qyteti mesjetar e që rishtazi është konsoliduar si Komuna e Novobërdës.

Ky objekt është përfshirë në listën e mbrojtjes  së trashëgimisë kulturore në statusin e përhershëm në vitin 1948.

Në të dhënat e ofruara nga Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit, emri i Novobërdës  për herë të parë përmendet në dekadat e para të shekullit XIV, me emërtimin Nuovo Monte.

Në pamjet që ju sjell KALLXO.com mund të shihni shtrirjen e kësaj kalaje e cila është e qasshme vetëm nga pjesa lindore e saj.

Fortesa përbëhet nga qyteti i epërm dhe qyteti i poshtëm, ndërtuar mbi kodrën e Novobërdës.

Qyteti i poshtëm, gjegjësisht Nënkalaja, shtrihet në kodra, në lindje dhe juglindje tërësisht deri te miniera nën Malin e Madh. Qyteti i epërm është ndërtuar në pjesën më të lartë të kodrës, ndërkaq nën të, në drejtim të perëndimit, shtrihet qyteti i poshtëm me bazë në formë të freskores.

Brenda këtij qyteti mesjetar mund të gjeni edhe rrënojat e një kishe mesjetare të tipit katedrale.

KALLXO.com do të sjellë një seri të video reportazheve me kamerën 360 shkallë nëpër objekte dhe zona të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore.