KALLXO 360: Fëmijët Mësojnë të Kursejnë

Me moton ‘Mëso, Kurse, Fito’ , Banka Qendrore e Kosovës, Shoqata e Bankave të Kosovës në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës filluan aktivitetet e kësaj jave duke u mësuar fëmijëve kulturën e kursimit.

KALLXO360 sjell pamje të fëmijëve në tavolinën e punës së Muzeut të Kosovës të cilët tregojnë për përvojat e tyre me paratë dhe kursimin.

Ata gjithashtu patën mundësinë të shohin nga afër disa prej koleksioneve të monedhave antike që gjenden në Muzeun e Kosovës përfshirë monedhën e veçantë ‘Medaljoni i Probit’, prej të cilës ekzistojnë vetëm dy eksponate në botë.

Pas kësaj ata patën mundësinë që edhe vetë të krijojnë monedha përmes materialit plastelinë sipas dëshirës.

Zëvendës Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Lulzim Ismajli, informoi këta nxënës se si vjen deri te fitimi i parave dhe si duhet shpenzuar ato në mënyrë efiçiente.

“Nga vijnë paratë? Paratë fitohen nga puna e cila shpërblehet me para, do të thotë shpërblimi për punën që prindërit e juaj e bëjnë çdo ditë. Paratë duhet t’i shpenzoni vetëm për gjërat e nevojshme, ushqim, veshmbathje , libra e fletore dhe ndonjëherë për ndonjë lodër”, tha Ismajli.

Ndërkaq, Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj u tregoi këtyre nxënësve për pasuritë nëntokësore që ka Kosova dhe të gjeturat e muzeut në monedha antike.

“Në Kosovë ka dhe ka pasur shumë mijëra vjet miniera të arit dhe argjendit. Në këtë vend janë prodhuar metalet dhe njëri prej prodhimeve ka qenë edhe paraja” tregoi Boshtrakaj.

Përderisa ‘Java e Parasë’ do të vazhdojë me aktivitete, fëmijët u këshilluan që të jenë më të kujdesshëm në shpenzimin e parave.