Objekti i dëmtuar i trashëgimisë kulturore në Prizren, Foto: Facebook
Kallëzim Penal për Shkatërrim të Objektit të Trashëgimisë Kulturore në Prizren
21.3.2018 - 17:35
Drejtoria e Inspektoriatit në Prizren e ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore një kallëzim penal ndaj një qytetari, i cili ka bërë shkatërrimin e një objekti të trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike të qytetit.
Fjala është për objektin e mbrojtur nga lista e trashëgimisë së Ministrisë së Kulturës (shtëpia e familjes Hisari) e ndërtuar në shekullin XIX.
Sipas ligjit në fuqi, dëmtimet dhe shkatërrimet e paautorizuara të objekteve të mbrojtura në Republikën e Kosovës janë të dënueshme.
“Ftojmë qytetarët që të mos ndërmarrin veprime të tilla në të ardhmen pa pëlqimin e organeve kompetente”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.