Kallëzim Kundër Dikoviqit për Masakrën e Rezallës

Kallëzimin penal kundër Lubisha Dikoviqit dhe Dejan Randeloviqit, Koci e dërgoi në prokurori në emër të familjarëve të viktimave të Rezallës.

“Sot e kemi dorëzuar kallëzimin penal  kundër  Lubisa Dikoviqit, komandant i Brigadës 37 të Motorizuar te Ushtrisë Jugosllave në  vitin 1999, gjeneral –nënkolonel i Armatës së Serbisë deri më 12.12.2011, tani kryeshef i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës Serbe dhe kundër Dejan Randeloviq, komandant i Batalionit të Dyte të Brigadës 37 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave të vitit 1999,” tha avokati Arianit Koci.

Koci deklaroi se ka ardhur koha të veprojmë e jo vetëm të flasim.

“Presim që  drejtësia të veprojë, prokurori special le ta hetojë ketë rast. Kemi prova të mjaftueshme dhe këto i kemi dorëzuar, që sjellin deri te një dyshim i bazuar, ka ardhur koha që të veprojmë e jo vetëm të flasim,” tha avokati.

Koci bëri të ditur se në provat e kallëzimit ka edhe dëshmitarë okularë për masakrën e Rezallës dhe rolin e të dyshuarve në të.

“Provat janë të fuqishme që menjëherë të fillojnë. Është me rëndësi që kemi edhe deklarata të dëshmitarëve okularë, ne kemi bërë kallëzimin penal ndaj personave konkretë dhe meqë këto krime janë bërë në territorin tonë, prokuroria jonë ka autorizim që ta hetojë ketë rast,” tha Koci.

Po  ashtu Koci tha se të gjithë tani po merren vetëm me krimet e shqiptarëve, e jo me krimet e serbëve në Kosovë.

“Dikush duhet të merret edhe me krime që janë kryer ndaj shqiptarëve, sepse tani i gjithë fokusi është vetëm ndaj krimeve që janë bërë ndaj serbëve dhe askush nuk merret me krimet ndaj shqiptarëve që janë edhe më të mëdha,” përfundoi Koci.

Qendra për të Drejtën Humanitare e drejtuar nga Natasha Kandiq në janar të vitit të kaluar e lidhi shefin e Ushtrisë Serbe Dikoviq në bazë të përgjegjësisë komanduese me vrasjen e 69 civilëve shqiptarë në fshatrat e Drenicës Rezallë, Çikatovë e Vjetër, Zabel i Ulët e Gllanasellë në periudhën prej 5 prillit deri më 27 maj 1999.

http://kallxo.com/lideret-e-serbise-e-mbrojne-gjeneralin-lubisha-dikoviq/

Shefi i Ushtrisë Serbe pastaj e paditi Kandiqin për rrënim reputacioni, ndërsa një gjykatë në Serbi e dënoi aktivisten për të drejtat e njeriut me 4 mijë e 500 euro gjobë në prill të këtij viti.

http://kallxo.com/gjykata-gjobit-natasha-kandiqin-per-akuzat-ndaj-gjeneralit-dikoviq/

Eshtrat e 28 viktimave të Rezallës u gjetën në Rashkë të Serbisë dhe u varrosën vitin e kaluar.