Mbledhja e Qeverisë për sundimin e ligjit, Foto: Zyra e Kryeministrit

Kalimi i Pakos së Ligjeve në Kuvend, Jetik për Sundimin e Ligjit

Është mbajtur sot takimi i 5-tëpër sundimin e ligjit, i inicuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj. Takimi i sotëm pati për fokus sundimin e ligjit në Zyrën e Prokurorit të Shtetit dhe në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Duke e cilësuar vitin 2018 si vit të sundimit të ligjit, kryeministri Ramush Haradinaj tha se sundimi i ligjit ende vazhdon të mbetet sfidë për vendin, por se po punohet me përkushtim me të gjithë akterët, në mënyrë të përmirësimit të gjendjes në këtë fushë.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se kryeministri Haradinaj inkurajoi gjithashtu të gjitha palët e përfshira në këtë fushë, që të punojnë edhe në nxjerrjen e akteve ligjore e nënligjore, në mënyrë që të mos jenë këto pengesë për të ecur përpara.

Blerim Isufaj nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka renditur punët e këtij Këshilli për vitin që lamë pas, duke përmendur edhe sfidat me të cilat po përballen, siç është buxheti i pamjaftueshëm, rekrutimi i stafit dhe plotësimi i pozitave në Këshill.

Nga ana tjetër kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi ka treguar se në vitin 2017 janë zgjidhur 71.230 lëndë penale dhe se 89 për qind e të akuzuarve kanë përfunduar me aktgjykime. Kryeprokurori Lumezi ka treguar që sfidë vazhdon të mbetet edhe plotësimi i vendeve të lira në Prokurori, të cilat mund të vijnë vetëm nga ndryshimi i kritereve të emërimit dhe ndryshimi i ligjit të ri për konfiskimet.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie inkurajoi Kuvendin e Kosovës që sa më parë të kaloj në procedim paketën ligjore, në mënyrë që të ketë progres në fushën e sundimit të ligjit edhe në planin e brendshëm të Kosovës por edhe në rrugën e saj integruese. Ndërkaq, Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian, Natalyia Apostolova përmendi rolin kyç të prokurorëve në vend dhe adaptimin e legjislacionit të nevojshëm për punën e tyre.

Shefja e Eulex-it, Alexandra Papadopoulou përmendi rëndësinë e rekrutimit të më shumë prokurorëve në vend dhe aftësimin e stafit në specifika të caktuara për punën e tyre.

Ndërkaq, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, duke theksuar bashkëpunimin e shkëlqyer  me Prokurorinë e Shtetit dhe Këshillin Prokurorial, njoftoi se pakoja prej 10 ligjeve është dërguar në Kuvend dhe po pritet kalimi i tyre në leximin e dytë.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha tha se sa më i madh të jetë intensifikimi në shenjtërimin e rasteve dhe zgjidhja e tyre, por edhe konsolidimi i paketës ligjore, Kosova ka mundësi më të mëdha të marrë komente pozitive nga Bashkimi Evropian dhe kështu të ecet më shpejtë dhe hapa të sigurt drejt perspektivës evropiane.

Takimi i sotëm, është takimi i radhës në kuadër të nismës që kryeministri Ramush Haradinaj ka ndërmarrë në fillim të mandatit për ta shpallur vitin 2018 vit të sundimit të ligjit në vend.

Në takimin e radhës, i pari i Qeverisë ftoi të gjithë akterët që të diskutojnë për gjendjen në sistemin Gjyqësor të Kosovës.