Kadri Veseli Nis 'Turin e Liberalizimit'

Kryetari i Kuvendi dhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka filluar përsëri ‘turin’ e dëgjimit, njëjtë sikur e kishte filluar në muajt mars e prill të vitit të kaluar, pak muaj para prishjes së koalicionit me LDK-në dhe shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.

Gjatë vitit të kaluar kur marrëdhëniet ndërmjet partnerëve të koalicionit PDK-LDK filluan të ftoheshin, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli filloi të takonte grupe të ndryshme të interesit, e të cilat i tregonte përmes disa videove në profilin e tij në Facebook.

Në videon e publikuar gjatë ditës së djeshme, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli kishte takuar studentë 19 vjeçare të cilët janë të lindur në vitin 1999, gjatë kohës së luftës.

“Biseduam lirshëm për temat që na preokupojnë të gjithëve, e në veçanti për nevojën e lëvizjes pa viza në Europë”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Ashtu qysh dikur e akuzonte ish kryeministrin Mustafa për mos-vendimmarrje, përmes kësaj video, njëjtë po e ‘akuzon’ edhe kryeministrin e tanishëm, partnerin e koalicionit, Ramush Haradinajn për mos ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit.

“Përcaktimi i kufirit shtetërorë është interes strategjik i Republikës së Kosovës. Unë jam për me kalu sa ma shpejt, për arsye se mund të vonohemi dhe mund të dëmtohemi”, iu përgjigjet Veseli njërit nga studentët.

Ndërsa kur dikush tjetër e pyet se cilat janë opsionet nëse kjo marrëveshje nuk miratohet, Veseli tregohet edhe më i ‘ashpër’.

“Opsionet janë pesimiste, Kosova do të mbetet e izoluar. Liberalizimi i vizave nuk ndodh, përveç kësaj Kosova vonohet në proceset e integrimit drejt Bashkimit Evropian, mund të vonohet nga vite deri në dekada. Demarkacioni duhet të kaloj për arsye se gjithë ajo çka posedon Republika e Kosovës, po flas me fakte juridike mbi të cilat ndërtohet shteti, është se marrëveshje të cilën e kemi nënshkruar në Vjenë është ajo e cila është reale”, iu drejtohet Veseli studentëve që i kishte ftuar në një kafene.

Mirëpo nga kabineti i kryeparlamentarit Veseli thonë se ky i fundit nuk ka filluar asnjë tur dëgjimi, por që aktivitet me video në Facebook bëhen në vazhdimësi.

“Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nuk ka filluar asnjë tur dëgjimi. Aktivitet e Kryeparlamentarit ka kohë që përcillen edhe me video në Facebook dhe këtë do të vazhdoni ta shihni edhe në të ardhmen, si formë moderne e komunikimit me opinionit publik”, thuhet në përgjigjen e kabinetit të kryeparlamentarit Kadri Veseli. Mirëpo videot e publikuara në profilin e Veselit pothuajse të gjitha kanë të bëjnë me fushatë partiake të PDK-së.

Por vetë Veseli, të premten, mohoi mundësinë që këto takime të jenë paralajmërim për kryeministrin Haradinaj.

“Është turi i liberalizimit të vizave, i drejtimit më të fuqishëm të Kosovës drejt BE dhe SHBA”, tha Veseli pas takimit të sotëm me drejtues të institucioneve të drejtësisë në Kosovë.

Video e fundit para kësaj të djeshmës është një takim i Veselit me fëmijët nga Syndrom Down Kosova për fesat e fundvitit, ndërsa të tjerat kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore të zgjedhjeve lokale. Kur përfundojnë videot e fushatë zgjedhore vijnë ato të zgjedhjeve të përgjithshme e pastaj ato të turit të dëgjimit. Pra, nuk është që Veseli i publikon të gjitha aktivitet e tij si kryetar i Kuvendit.

Këtu mund t’i shihni të gjitha videot e publikuara në profilin e Kadri Veselit.

Gjatë video-spoteve sa Veseli dhe Mustafa ishin bashkë në Qeveri, KALLXO.com ishte interesuar të dijë se kush po i bënë video e Veselit, dhe sipas sekretarisë së Kuvendit, këto i ka bërë stafi i tij i brendshëm.

http://kallxo.com/kuvendi-spotet-e-veselit-i-realizon-stafi-i-tij-i-brendshem/

“Nëse e përdorë fushatën në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit, është shpërdorim i detyrës zyrtare për përfitim të votës”, kishte thënë Pal Lekaj për KALLXO.com gjatë kohës kur Veseli kishte nisur turin e dëgjimit në 2017.

Sot, Lekaj është ministër i Infrastrukturës në qeverinë AAK-PDK-Nisma dhe AKR.