Kadri Veseli, kryetar i PDK-së

Kadri Veseli Nis Tur Tjetër ‘Dëgjimi’

Por kur doli sot në një konferencë për shtyp, ai foli por nuk dëgjoi.

Sapo e përfundoi konferencën për shtyp, Veseli u largua nga salla duke mos dëgjuar pyetjet e gazetarëve.

Të parit të Partisë Demokratike të Kosovës gjatë turit të dëgjimit pritet t’i bashkëngjiten ekspertë të fushave të ndryshme të cilët, sipas tij, do t’i ndihmojnë t’i zgjidhë problemet dhe shqetësimet e qytetarëve.

“Do t’i dëgjoj nga afër idetë e qytetarëve dhe idetë e ekspertëve, që të mund të ndërtojmë një plan serioz që i adreson këto shqetësime”, tha Veseli.

“ Më lejoni t’ju them se qytetarët e Kosovës kanë ide të mrekullueshme, por kanë edhe shqetësime të mëdha”, tha Veseli.

I pari i PDK-së ka thënë se politikanët më shumë po merren me problemet e njëri- tjetrit se sa me problemet që kanë qytetarët.

“Qytetarët mendojnë se politika dhe politikanët, më shumë sesa të merren me problemet e qytetarëve tanë, po merren me problemet e njëri-tjetrit. Në vend se të merren me zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, politikanët janë duke u krijuar probleme të reja qytetarëve dhe vendit. Kjo sjellje duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë”, tha Veseli.

Ai shtoi se për deri sa politikanët nuk po dëgjojnë popullin e Kosovës, një gjë të tillë nuk do ta bëjë PDK-ja pasi që kjo e fundit “do të hartojë një plan së bashku me qytetarët për Kosovën”.

“PDK do të jetë partia që dëgjon qytetarët tanë dhe veprimet tona do të vendosen nga nevojat e tyre. Unë e kuptoj se cilat çështje shqetësojnë njerëzit e këtij vendi. Ata duan një lidership që do të krijojë vende pune, që do të rrisë sektorin e bujqësisë, dhe që do të fuqizojë të rinjtë dhe gratë tona për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në zhvillimin e shtetit tonë”, tha Veseli.

Ai u zotua se pas dëgjimit të qytetarëve do të veprojë.

“Vetëm pas dëgjimit të qytetarëve dhe ekspertëve, ne do të mund të kemi një plan serioz, jo vetëm ndonjë slogan, për ta çuar Kosovën përpara”, shtoi ai.