Konferenca e sotme për bujqësinë. Foto: Kuvendi i Kosovës

Kadri Veseli Kritikon Prioritetet e Qeverisjes së Partisë së Tij

Në një forum me donatorët ndërkombëtarë në bujqësi, kryeparlamentari nuk e justifikoi qasjen e qeverisë ndaj bujqësisë.

Partia që e drejton Veseli, PDK, e drejton resorin e bujqësisë në qeverinë e vendit që nga viti 2008, ndërsa deri më tani PDK i ka dhënë tre ministra për këtë resor, Idriz Vehapin, Blerand Stavilecin dhe tani Memli Krasniqin.

“Në vitet e para të pavarësisë mosfokusimi te ekonomia ka qenë e kuptueshme. Por kjo që ka ndodhur kohën e fundit nuk është e justifikueshme”, tha Veseli.

Deri në vitin 2014, PDK ka qenë në drejtim të qeverisë me Hashim Thaçin në krye të saj, ndërsa këtë mandat ajo është pjesë e koalicionit të qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa i LDK-së.

“Ekonomia edhe bujqësia duhet të jenë çështja më e rëndësishme e politikës sonë. Duhet të jetë pjesë e vendimarrjes.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka organizuar një konferencë me donatorët në fushën e bujqësisë, fermerët e Kosovës në të cilën kanë marrë pjesë edhe Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësues nga organizata të ndryshme ndërkombëtare që kontribojnë në zhvillimin e bujqësisë në Kosovë.

Kryeparlamentari Kadri Veseli gjatë kësaj konference tha se ekonomia dhe bujqësia duhet të jenë prioritet i qeverisjes dhe vendimmarrjes politike.

I pari i Kuvendit të Kosovës tha se fokusi dhe investimet duhet të kthehen tek qytetari.

“Fermerët edhe përkundër fatkeqësive investojnë në tokën tonë. Kjo situatë duhet të ndryshoj urgjentisht. Fokusi të kthehet te qytetari ynë, investimi te ai. Roli i qytetarit të jetë rol primar. Pa involvimin qenësor të resurseve tona sukses nuk mund të ketë. Këto janë arsyet pse duhet që politika të kthehet te qytetari dhe te problemet e tyre”, shtoi Veseli.

Veseli i konsideroi fermerët si heronjtë e vërtetë të ditëve të sotme.

“Njerëzit që jetojnë nga djersa e tyre janë heronj të lirisë sonë. Liberalizimi, ulja e korrupsionit dhe ruajtja e sovranitetit kanë të gjitha një çelës, e ai është zhvillimi ekonomik dhe ndihma e qytetarit”, tha Veseli.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi gjatë kësaj konference prezantoi punën e ministrisë së tij dhe foli për sfidat e që e presin Kosovën në fushën e bujqësisë.

“Disa nga rezultatet e punës sonë 2014-2017. Përmes granteve të fituara u shënua progres. Këto investime bënë që të hapen mbi 4000 vende pune. 1174 grante janë dhënë këtë vit. Brenda çdo viti mbi 20 trajnime për fermerët tanë. Një kujdes i vazhdueshëm i mbrojtjes se tokës bujqësore” tha ministri Krasniqi.

Ai tha se buxheti të cilin e posedon kjo ministri nuk është i mjaftueshëm për një rritje të cilësisë në sektorët e saj.

“Ministria e Bujqësisë është duke u angazhuar për të rritur cilësinë e këtyre sektorëve. Buxheti i tanishëm nuk është i mjaftueshëm për një rritje të shpejtë. Një rritje e mirëseardhur por e pamjaftueshme. Sfidat e mëdha që vazhdojmë t’i kemi. Rritjen e numrit të fermerëve, rritjen e numrit të femrave në këtë sektor etj. Në vitit 2016 krahasim me vitin 2015 kemi 9% rritje” përfundoi Krasniqi.

Përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Libor Chlad tha se u bënë vite që e kanë identifikuar sektorin e bujqësisë si sektor për gjenerim të punësimit.

“Në projektin IPA nga 30 milionë, 8 milionë euro janë dedikuar për skemën e granteve. Në projektin IPA 2, 2014-2020 të cilën jemi duke e zbatuar aktualisht janë paraparë edhe 30 milionë euro të tjera ku gjysma është dedikuar për grantet në agrobiznesin kosovar. Sfidat para nesh janë të mëdha, importi i prodhimeve bujqësore ka qenë 6 herë më i madh se eksporti” potencoi Chlad.

James Hope, drejtori i misionit të USAID-it në Kosovë tha se bujqësia ka potencialin të adresojë sfidën më të madhe të Kosovës, që është papunësia.

“Produktiviteti i ulët duhet të ndryshoj. Projekti për mjedrat ka filluar në vitin 2010 dhe nga atëherë kur nuk ka pasur fare tani janë 17 hektarë me mjedra. Eksporti është rritur nga 16 në 20 milion dhe janë hapur 4000 mijë vende të punës. Po mendojmë të krijojmë bashkëpunim mes Fakultetit të Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin e Minnesota-s për specializim dhe hulumtime” tha Hope.

Didier Chabert, ambasadori francez në Kosovë përmendi fushat e bashkëpunimit mes Francës dhe Kosovës si në projektin për indikacionet gjeografike, sektorin e blegtorisë dhe atë të verërave.

“Fusha e bashkëpunimit mes Francës dhe Kosovës janë indikacionet gjeografike. Kosova ka regjistruar sipas ekspertëve francez indikatorin gjeografik i cili është projekt pilot për djathin e Sharrit dhe brenda 6 muajve do të bëjnë analiza dhe shpresojmë të regjistrojnë indikatorin gjeografik të djathit të Sharrit” shtoi ambasadori francez Chabert.

Ai theksoi se bashkëpunimi në fushën e verës është premtues kështu që Franca do të ofrojë edhe ekspertizë për verërat në Kosovë.