Foto: Zyra e Kryetarit të Kuvendit

Kadri Veseli Kërkon Konsensus për Votimin e Demarkacionit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës ka deklaruar se duhet konsensus në votimin e marrëveshjes së mbetur pezull për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Mali të Zi.

Këtë deklaratë ai e dha në konferencën për media të mbajtur pas takimit me kreun e Këshillit Prokurorial, Gjyqësor dhe ministrit të Drejtësisë. Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të ambasadës amerikane dhe të Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë.

“Pres që të kemi sa më shpejt një zgjidhje, që këtë kusht të cilin e kemi para vetes të kalojmë. Këtë jemi duke e bërë të gjithë bashkërisht me seriozitetin më të madh. Keni parasysh, Kosovës i duhet një konsensus për çështjen e demarkacionit dhe jam shumë optimist që bashkërisht mund ta arrijmë këtë”, tha Veseli.

Ai tregoi se gjatë mbledhjes është diskutuar rreth përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave.

Veç tjerash, Veseli e ka përmendur votimin pro demarkacionit edhe në fushatën e tij të re, në “turin e liberalizimit”, i ngjashëm me “turin e dëgjimit” të cilin e ka filluar nga fundi i marsit të vitit 2017.

Veseli shtoi se luftimi i korrupsionit e zë një vend të rëndësishëm për liberalizimin e vizave.

“Përveç demarkacionit që është kusht kryesor për lëvizjen e lirë e kemi edhe sundimin e ligjit”, duke e cilësuar korrupsionin si “kancer të shoqërisë”.