Kadri Veseli, kryetar i PDK-së

Kadri Veseli: Ka Pasur Mostransparencë në Dialogun me Serbinë

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka kërkuar nga spektri politik kosovar që të jenë më të bashkuar në çështjet që janë të karakterit shtetëror.

Duke folur për ecurinë e dialogut me Serbinë në një forum të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), kryeparlamentari tha se krerët e institucioneve qendrore janë në proces të formatizimit të fazës së re të dialogut, ndërsa premtoi se Kuvendi “do të jetë i informuar” në çdo fazë të procesit.

“Së bashku me Kryeministrin (Ramush Haradinaj) e Presidentin (Hashim Thaçi) jemi në dizajnimin e formatit të dialogut dhe në të njëjtën kohë iniciativën do ta ndërmarrë Presidenti sa i përket gjithëpërfshirjes në procesin e dialogut. Nuk do të ketë me asnjë hap në dialogun Kosovë- Serbinë që nuk do të informohet Kuvendi”, tha Veseli.

Duke thënë se Kosova është aktualisht “një shtet që tregon se ka stabilitet e demokraci” ai përmendi se vendi ka trashëguar shumë gjëra që tani duhet të definohen.

“Ne nuk i dimë kufijtë tanë, kemi probleme të trashëgimisë. Pjesa e dialogut është mjeti i vetëm përmes së cilës mund ti zgjedhim çështjet me fqinjët tanë. Ose është dialogu ose konflikti”, tha ai.

Por edhe në aspektin e brendshëm, Veseli përmendi mospajtimet në mesin e politikës kosovare kur është në pyetje dialogu me Serbinë.

“Për gjërat që ne do të duhej të ishim bashkë ne nuk jemi. Për dy vite jemi bërë pothuajse turpi i botës. Dialogu si mjet duhet të jetë edhe me intensiv duke përfshirë edhe dialogun e brendshëm. Jo të kemi dialog me të tjerët e mes vete jo”, tha ai.

“Duhet ta zgjedhim çështjen e kufijve njëherë e mirë bashkë. Gabimi më i madh i marrëveshjeve që janë nënshkru nuk kanë qenë marrëveshjet por mostransparenca”, tha Kadri Veseli.