Kadri Veseli - Foto: KALLXO.com

Kadri Veseli Flet për Përgjimet e Reja Ku Ai Është Personazh

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është pyetur sot lidhur me bisedën e përgjuar telefonike që u publikua dje gjatë ditës nga KTV, ku njëri prej personazheve është edhe ai.

Me këtë rast, Veseli pyeti: “Cili klan ke, M apo P?”.

Pastaj tha se të gjitha organizatat politike, mediat dhe bizneset kanë prirje të kenë konkurrueshmëri më të lartë, që të kenë afër vetit njerëz me të cilët mendojnë se do të kenë suksese më shumë në konkurrencën politike qoftë biznesore.

Lidhur me atë që dëgjohet të thotë në bisedën e përgjuar se Kryeprokurori aktual i Shtetit, Aleksandër Lumezi, është djalë i mirë, Veseli tha se  ka bindje të mirë për çdo njeri që kontribuon për vendin e tij.

Më tej, Veseli tha se nuk mund të thotë më shumë rreth kësaj çështjeje pasi që, sipas tij, nuk ka pasur asnjë lidhje as personale as të veçantë dhe se nuk ka pasur as njohje personale me Lumezin.

Këtë deklaratë Kadri Veseli e bëri pas një takimi të Kryesisë së Kuvendit.

Në bisedat e përgjuara telefonike, zyrtarët  e PDK-së flisnin për një angazhim të mundshëm të Aleksandër Lumezit në partinë e tyre.

Në një bisedë ekskluzive për KALLXO.com, Lumezi mohoi të ketë marrë ndonjë ofertë nga PDK.

KALLXO.com e transmetoi LIVE këtë deklaratë të Veselit.