Ismail Kadare duke marrë një çmim në Kosovë | Foto: KALLXO.com

Kadare: Çmimi në Kosovë më Jep më Tepër Kënaqësi

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare që sot mori në Prishtinë nga Ministria e Kulturës Çmimin Ndërkombëtar “Letërsia Shqipe” tha se ai i jep kënaqësi më shumë se çdo çmim tjetër.

“Ky çmim i dhënë në Kosovë ka domethënie më tepër se një çmim, ka kuptim më tepër se një çmim për mua, rrjedhimisht më jep kënaqësi më tepër se çdo çmim tjetër”, tha Kadare.

Atij i pëlqeu edhe vendi ku u zhvillua ceremonia e dhënies së çmimit- Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”.

“Jam i lumtur kur e mendoj që po e marr këtë çmim këtu në bibliotekën e Kosovës. Bibliotekat janë pjesë e asaj mbretërie të madhe në botë, që është mbretëri e lexuesve. Shkrimtarët jetojnë falë bibliotekave, falë lexuesve”, tha Kadare.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku, tregoi se në këtë bibliotekë libri i parë i Kadaresë erdhi para 47 vjetësh.

“Kadare është autori, lidhja me të cilin nuk është shkëputur kurrë. Ai është lexuar dhe po lexohet në bibliotekë. Libri i parë i Kadaresë i sjellë në këtë bibliotekë para 47 viteve është ‘Princesha Argjiro’”, tha Gajraku.

Osman Gashi, anëtari i Këshillit të Librit, Kadarenë e krahasoi me shkrimtarët më të njohur të globit.

“Veprën e Kadaresë do të mund ta krahasoj me shumë elemente me ato të Homerit, Dantes, të Goethes, të Tolstoit apo të Dostojevskit”, tha Gashi.

Çmimin Ndërkombëtar “Letërsia Shqipe” Kadaresë ia dorëzoi ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Shala.

Në emër të kësaj ministrie për Kadarenë foli Ndue Ukaj.

“Një nga shkrimtarët më tipik që nuk pranoi fundin e njeriut është Ismail Kadare… Me një sërë romanesh, esesh, poezish e tregimesh, ai e lartësoi gjuhën dhe letërsinë shqipe në hierarkinë e Republikës Letrare të Përbotshme ku s’ishte kurrë më parë”, tha Ukaj.

Në ceremoni u interpretua edhe një poezi e shkrimtarit shqiptar e botëror nga aktorja e Teatrit Kombëtar Sheqerie Buqaj.

Sot Kadare u prit në një takim edhe nga Presidenti Thaçi.

http://kallxo.com/kadare-ne-takim-thacin-jemi-europiane/