Kadaj- Bujupi: Rikalo të Shkarkohet Ose do të Ketë Protesta

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi, kërkoi nga Kryeministri Haradinaj, të shkarkohet ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo. Në të kundërtën ajo paralajmëroi protesta.

“Prandaj po ju them shkarkojeni Rikalon jo pse nuk është shqiptar, jo pse është serb, por sepse 20 qytetarë shqiptarë e kanë denoncuar dhe ngrisin dyshime të bazuara se ka kryer krime. Shkarkojeni dhe zëvendësojeni me një ministër që nuk ka keqtrajtuar shqiptarët”, tha Kadaj- Bujupi.

“Nëse nuk e shkarkoni, atëherë do të jeni përgjegjës për protestat dhe për proceset politike që do të pasojnë. Ata që ë mbrojnë krimin janë bashkëfajtor, të vërtetohet nga 20 qytetarë të etnisë shqiptare që edhe sot vazhdojnë të jetojnë në Dardani”, tha Kadaj- Bujupi.

Ajo shtoi se nuk është mirë të luhet roli i avokati të Rikalos sepse sipas saj fjala është për 20 dëshmitarë që janë torturuar nga Rikalo.

“Të gjithë ata që po e bëjnë sot avokatin e Rikalos, në 2015 kanë qenë në protestë për një deklaratë të Jabllanoviqit. Sot këtë interpelancë e kemi thirrë jo për shkak të deklaratave por supozimeve për veprat gjatë luftës në Kosovës, nuk është mirë me u ngut e me lujt rolin e avokatit sepse përkundër faktit se kryeministra tha se e ka verifiku përmes tre institucioneve ndodhën zhvillime të reja dhe dolën edhe 20 dëshmitarë shtesë për dhunime e torturime e cila ka ndodhur dhe deklarohet në këto dëshmi të 20 dëshmitarëve të lagjes Dardania”, shtoi ajo.