MAPL ndan certifikata për komunat me performancë të lartë

Juniku- Komuna me Performancën më të Lartë

Komuna e Junikut është vlerësuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal komuna me performancën më të lartë për 2016-ën.

Në rangimin e komunave sipas Raportit të Performancës, Mamusha është vlerësuar me performancën më të ulët.

Në ceremoninë e dorëzimit të certifikatave për komunat që u vlerësuan me performancë të lartë sekretarja e përgjithshme në MAPL, Rozafa Ukimeraj tha se pushtetet lokale janë vlerësuar për progresin dhe sfidat në përmbushjen e obligimeve

“Sipas këtij sistemi ne kemi arritur të shohim progresin si dhe sfidat e komunave sa i përket përmbushjes së obligimeve të tyre për performancë. Prandaj, sipas këtij sistemi, ne kemi arritur t’i rangojmë komunat dhe sot t’i ndajmë çmimet për performancën më të mirë komunale”, tha Ukimeraj.

Naim Ismajli, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës që tha se asociacioni nuk do të ndajë shpërblimet për ta ruajtur neutralitetin karshi të gjitha komunave, megjithatë inkurajoi fituesit, por edhe komunat tjera që të kryejnë me performancë të lartë detyrat e tyre.

“Shfrytëzoj rastin t’i uroj të gjithë fituesit, ata të cilët kanë tregu performancë më të lartë. T’i inkurajojmë të gjithë të tjerët që të ndjekin këtë rrugë dhe të kenë përkushtim në përmbushjen e këtyre obligimeve, sepse duke i përmbushur obligimet dhe objektivat që dalin nga vlerësimi i komunave mendoj se po mbushim apo përmirësojmë aktivitetet, detyrat tona karshi shërbimeve politike apo qytetarëve”, tha Ismajli.

Me performancë të lartë në kryerje të punëve nga Ministria e Administrimit të Pushtetit lokal u vlerësuan edhe Prizreni, Drenasi, Shtimja, Istogu dhe Prishtina.

Performanca matet në 14 fusha të ndryshme në të cilat përfshihen 18 shërbime komunale.

KALLXO.com edhe më herët shkroi për raportin e MAPL-së.

http://kallxo.com/permiresohet-performanca-e-komunave/