Jean-Claude Juncker. Foto: European Parliament/Flickr

Juncker: Serbia dhe Mali i Zi Prijnë në Ballkan për Integrim në BE

Duke theksuar edhe një herë se Bashkimi Europian nuk do të pranojë anëtarë të rinj së paku deri më 30 mars 2019, fjalimi i rëndësishëm i presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker dha shpresa për integrim më të shpejtë të Serbisë dhe Malit të Zi si vende “që kryesojnë garën” e integrimit të Ballkanit ndërsa premtoi “angazhim të besueshëm për integrimin e Ballkanit” në rastin e Shqipërisë, Maqedonisë, Bosnjës e Kosovës.

NDËRLIDHUR

Fjalimi i përvitshëm “Gjendja e Bashkimit” u mbajt nga Juncker sot para Parlamentit Europian në Strasburg të Francës. Ai është një fjalim themelor në të cilin flitet për gjendjen aktuale të Bashkimit Europian dhe prioritetet e administratës aktuale për vitet e ardhshme.

Në faqen e internetit të Komisionit Europian [link], fjalimi shoqërohet me një paketë të gjerë informacionesh ku përmenden prioritetet një nga një.

Zgjerimi i Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit mbart një pjesë të vockël të broshurës informuese [link broshura] dhe Juncker e bën të qartë se deri më 30 mars 2019, kur BE të zhvillojë një samit të rëndësishëm me gjasa në qytetin Sibiu të Rumanisë, BE do të vijojë të ketë 27 anëtarë, gjë që do të thotë se nuk do të ketë anëtarësime të reja.

Por broshura bën gjithashtu të ditur se Serbia dhe Mali i Zi “kryesojnë garën” e integrimit dhe se për këto dy vende, në shkurt të vitit 2018, do të prezantohet një “strategji për anëtarësim të suksesshëm”.

Sa i përket vendeve të tjera, Juncker u mjaftua me përsëritjen e angazhimit të BE për anëtarësim në një të ardhme jo të afërt, duke argumentuar njëkohësisht se asnjë nga këto vende nuk është gati për anëtarësim.

“…ne kemi shtuar bashkëpunimin tonë me Ballkanin Perëndimor dhe kemi rikonfirmuar angazhimin tonë për perspektivën e të gjithë rajonit në Bashkimin Europian,” thuhet në fjalim. “Ne do të vijojmë të mbështesim përpjekjet për reforma në Shqipëri dhe në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë si dhe të lehtësojmë dialogun mes Serbisë dhe Kosovës,” shpjegohet në broshurën shoqëruese të fjalimit.

Kryeministri Edi Rama pretendoi gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Shqipërisë se objektivi i Qeverisë së tij është hapja e negociatave për anëtarësim vitin e ardhshëm, ndërsa supozoi se nëse kjo nuk ndodh, fajin duhet ta ketë Bashkimi Europian, i cili, sipas Ramës vijon të shtojë kushte.

“Dihet si funksionon Bashkimi i sotëm Europian dhe vetë ky proces gjithnjë e më i paparashikueshëm si integrimi. Kështu që, nuk na mbetet veçse të bëjmë sa më mirë atë që kemi ne në dorë dhe pavarësisht zyrtarizimit dhe fazave të zyrtarizuara në proces ne ta bëjmë Shqipërinë një vend me standarde, norma dhe mirësjellje si në Bashkimin Europian”, deklaroi Rama. [link fjalimi i Ramës].

Megjithatë, situata nuk duket kaq e thjeshtë sa e prezanton kryeministri.

Bashkimi Europian përgatit çdo vit një raport mbi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit.

Raporti i fundit i progresit i publikuar në nëntor 2016, tregon se Shqipëria gjendet në hapat e para në shumicën e fushave ku duhet të realizojë objektivat.

Disa nga fushat duket se mbartin objektiva relativisht të thjeshta për t’u realizuar, megjithatë progresi në këto fusha përgjatë viteve ka qenë zero.

Në disa fusha të tjera si prokurimet publike, Qeveria duket se ka bërë hapa prapa, duke shkelur rregullat e Bashkimit Europian për gara të ndershme dhe të barabarta mes operatorëve në tenderë dhe në koncesione.

Raporti i progresit tregon gjithashtu se integrimi europian i Shqipërisë nuk ka ngecur aq shumë për shkak të shtimit të kushteve nga ana e Brukselit, por për shkak të mungesës së interesimit të palës shqiptare për të plotësuar edhe kushtet më të thjeshta.

13 Shtator 2017 - 17:33

Gjergj Erebara, BIRN 13/09/2017 - 17:33
NDËRVEPRIMI0