Foto: Atdhe Mulla

Juncker: Demarkacioni ‘Hap Kyç dhe i Pashmangshëm’ për Liberalizimin

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Calude Juncker, kërkoi sot në Prishtinë nga autoritetet kosovare që të angazhohen në reformat e kërkuara nga Strategjia e Bashkimit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ai kërkoi nga Kuvendi ta votojë demarkacionin duke e cilësuar si “hap kyç e i pashmangshëm” drejt liberalizimit të vizave.

Ai tha se kur të ratifikohet marrëveshja për demarkacionit “qytetarët e Kosovës do ët jenë përfituesit e parë”.

“Nuk më kënaq ideja që kosovarët janë të vetmit në Europë që nuk mund të udhëtojnë lirshëm”, tha Juncker.

Por ai kërkoi edhe hapa në luftën kundër korrupsionit.

Njëkohësisht ai kërkoi “bazë të re” në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë me anë të një marrëveshjeje të detyrueshme .

Sipas Presidentit Thaçi, vizita e sotme i jep përkrahje përpjekjeve të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës në rrugën drejt integrimit në BE.

“Zhvilluam një takim mjaft përmbajtësor dhe produktiv. I përcolla një mesazh të qartë: në 10 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, Kosova është krenare se procesi i shtetndërtimit është bërë në përputhje me vlerat dhe praktikat më të mira të Bashkimit Europian”, tha Thaçi.

“BE është pjesë përbërëse e historisë sonë të re, përkushtim i sotëm dhe synim i pashmangshëm i të ardhmes sonë”, shtoi ai.

“Kemi bërë shumë, por kjo është një agjendë e përbashkët. Nuk jemi duke kërkuar rrugë të shkurtër, por vetëm presim trajtim të barabartë dhe qartësi në rrugën tonë”, tha Thaçi.

Thaçi foli edhe për dialogun me Serbinë, ndërsa tha se është në pritje të ftesës për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të ndërmjetësuar nga Brukseli.

Dialogu është një proces shumë i vështirë por është rruga e vetme për t’i dhënë fund një konflikti njëshekullor mes Kosovës dhe Serbisë prandaj mbesim tërësisht të përkushtuar për normalizim të marrëdhënieve Kosovë- Serbi”, tha ai.

Thaçi foli edhe për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, i cili mbetet kusht i BE-së për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Jam i bindur se marrëveshja do të ratifikohet në ditët e ardhshme dhe në momentin që do të ratifikohet unë jam i bindur që Presidenti Juncker do ta marrë vendimin e duhur për t’i hequr kosovarët nga izolimi”, tha Presidenti Thaçi.