Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Jokomplet Trupi Gjykues në Gjykimin për Terrorizëm

Për shkak se trupi gjykues nuk ishte në përbërje të plotë, seanca ndaj një grupi të akuzuar për terrorizëm është shtyrë.

Kryetarja e trupit gjykues Suzana Çerkini tregoi arsyen e mungesës së një gjyqtareje.

“Mungon anëtarja e trupit gjykues- gjyqtarja Shpresa Hasaj- Hyseni, e cila ndodhet në një tryezë të rrumbullakët e që është vazhdimësi e tryezave të mëparshme e organizuar nga Ambasada Amerikane”, sqaroi Çerkini.

Në seancën e sotme parashihej të bëhej dëgjimi i të akuzuarve.

Edhe një seancë tjetër e këtij gjykimi ishte shtyrë në shkurt të këtij viti, atëherë për udhëtimin jashtë vendit të një anëtareje të trupit gjykues.

http://kallxo.com/perseri-shtyhet-gjykimi-rastit-per-terrorizem/

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë më datën 7 maj 2015 ndaj Kujtim Bytyqit, Hadi Nurës, Besim Shabanit, Betim Ibrahimajt, Adil Bushit, Egzon Latifit, Jetmir Bushit, Artan Kadriut, Bekim Halilit, Zijadin Berishës dhe Jeton Hajdinit.

Hadi Nura, Besim Shabani, Betim Ibrahimaj, Adil Bushi, Egzon Latifi, Jetmir Bushi, Artan Kadriu, Bekim Halili, Zijadin Berisha dhe Jeton Hajdini nga prokuroria akuzohen për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, ndërsa Kujtim Bytyqi është i akuzuar për armëmbajtje pa leje.

Edhe Bekim Halili e Zijadin Berisha, përpos për pjesëmarrje në grupe terroriste ngarkohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Në seancat e kaluara, Artan Kadriu, Zijadin Berisha, Betim Ibrahimaj dhe Adil Bushi kanë pranuar fajësinë për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Ndërsa Kujtim Bytyqi kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, pjesërisht e kishin pranuar fajësinë në seancat e kaluara edhe Bekim Halili dhe Zijadin Berisha vetëm për armëmbajtje pa leje.

Seanca e radhës u caktua për muajin nëntor të këtij viti.