// E enjte ORA 20:20

Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

0

0

25 Shtator 2008

Trafikimi i qenieve njerëzore

Debate

Emisioni i kësaj jave, “Jeta në Kosovë”, i ka hedhur një vështrim gjendjes së trafikimit të qenieve njerëzore në Kosovë.

Sa i madh është ky problem? A është rritur numri i femrave të trafikuara? Çfarë thotë policia e çfarë thotë Ministria e Punëve të Brendshme për këtë fenomen?

Për t’ju përgjigjur këtyre pyetjeve, pjesëmarrës në panel ishin:

Artan Duraku – këshilltar politik në Ministrinë e Brendshme.
Fejzullah Hasani – gjykatës në Gjykatën Supreme.
Ariana Çosaj – eksperte në çështjet gjinore dhe anëtare e njësisë së OSBE-së për kundër-trafikim.
Ramadan Ahmeti – udhëheqës i Departamentit që merret me trafikimin e qenieve njerëzore, në Policinë e Kosovës.
Nita Luci – nga UNPD, projekti “Iniciativa për Sigurinë dhe Mbrojtje e Femrave”.  

Sipas statistikave të OJQ-ve dhe organizatave ndërkombëtare, ka pasur një rritje të numrit të femrave që por trafikohen në Kosovë.

Ramadan Ahmeti raportoi se trafikimi ka shënuar rritje që nga mbarimi i luftës në vitin 1999. Menjëherë pas luftës, viktimat kryesisht kanë qenë të huaja. Ndërsa, statistikat e reja tregojnë se shumica e viktimave tash janë nga Kosova.

Në tetë muajt e parë të këtij viti, Policia e Kosovës ka intervenuar për ndihmë në 22 raste të trafikimit të femrave: 14 ishin kosovare, 4 ishin nga Moldavia, 2 nga Shqipëria, 1 nga Bullgaria dhe një nga Serbia. Tri nga viktimat ishin të mitur.

I pyetur se çfarë po bënë policia si përgjigje ndaj këtij trendi në rritje, Ahmeti tha se Policia e Kosovës po bashkëpunon me të gjitha institucionet relevante kundër trafikimit të qenieve njerëzore, përfshirë këtu Ministrinë e Brendshme, OSBE-në, gjykatat dhe OJQ-të.

“Njësitet rajonale të policisë nëpër qytetet e Kosovës po provojnë që ta ndalojnë këtë problem”, tha ai.

Luci theksoi se ka një korrelacion të qartë në mes të trafikimit dhe prostitucionit. Hasani e potencoi se jo të gjitha rastet e trafikimit janë për shfrytëzime seksuale. Trafikimi gjithashtu, përfshinë edhe shitjen e organeve njerëzore dhe lloje tjera të përdorimit.

Trafikimi trajtohet në kuadër të Ligjit Ndërkombëtar, përderisa prostitucioni hyn në kategorinë e krimeve seksuale, spjegoi Hasani.

Po ashtu, Çosaj nënvizoi se trafikimi është shumë i lidhur me premtimet falso dhe mashtrimet.

Autoritetet e Kosovës lëshojnë leje pune të punësuarëve në hotele e motele, ku një numër i madh femrash punon si kamariere. Në këtë kontekst, Duraku tha se Ministria e Brendshme është e përcaktuar që ta luftojë trafikimin, kudo që ai haset.

Çosaj u ankua se autoritetet vazhdimisht deklarojnë se janë të vendosur për ta luftuar problemin, por shumë pak bëhet në këtë drejtim. Ajo potencoi se vetëm 50 % e planit për luftimin e trafikimit gjatë periudhës 2005-2007, është implementuar.

Duraku tha se krimi i organizuar dhe trafikimi i qenieve njerëzore nuk mund të ndalohet me konferenca e seminare.

Çosaj pyeti se pse Ministria e Brendshme nuk ka ndërmarrë hapa për ngritjen e buxhetit për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Ajo theksoi se policia i bastisë vendet ku ndodhë trafikimi, por ka shumë pak vende për strehimin e viktimave.

Çosaj gjithashtu tregoi se disa nga shtëpitë për strehimin e viktimave janë mbyllur. Duraku premtoi se kjo nuk do të vazhdojë, veçanërisht pasi që me kushtetutën e re, Ministria e Brendshme ka më shumë fuqi veprimi për këtë çështje.

Duraku tha se qeveria e re do të adaptojë një çasje afatgjate për trafikimin e qenieve njerëzore dhe shtoi se kjo do të përfshijë edhe ofrimin e asistencës për viktimat.

Në anën tjetër, Çosaj potencoi se dy shtëpi, të cilat janë financuar nga OSBE-ja, janë mbyllur.

Hasani tha se neni 139 i Kodit Penal të Kosovës parasheh dënim maksimal, me 20 vite burgim për trafikantët, por shumicave e dënimeve të shqiptuara janë më të vogla.

Luci tha se për aq kohë sa trafikimi nuk konsiderohet si pjesë e krimit të organizuar, trafikantët do të mund të shpëtojnë lehtë.

Ajo bëri thirrje për një plan strategjik që do ta ndalonte problemin në nivele të ndryshme.

I pyetur rreth bashkëpunimit në mes të Policisë së Kosovës me policinë në Moldavi, Maqedoni dhe në vendet tjera të rajonit, Ahmeti tha se kjo ka qenë kryesisht kompetencë e policisë së UNMIK-ut.

Sidoqoftë, ai tha se Policia e Kosovës bashkëpunon me policinë e vendeve tjera përmes INTERPOL-it.

Ai e përmendi rastin, ku policia në Moldavi i ka raportuar Policisë së Kosovës për aktivitete të dyshimta, me ç’rast ka rezultuar me arrestimin e trafikantëve.

“Shumë herë jemi zhgënjyer me dënimet e shqiptuara nga gjykatat për rastet e trafikantëve, por kurrë s’e kemi ndalur punën,” tha Ahmeti.

Hasani tha se vendimi i gjykatës varet nga provat, por gjithashtu, ai potencoi se kjo ndikohet edhe nga mënyra se si problemi perceptohet në një vend.

U potencua se shumë vende ku mbahen femrat e trafikuara, janë afër stacioneve policore dhe ka policë që janë të dyshur si klientë.

Çosaj tha se sfida më e madhe është rehabilitimi i viktimave. Ajo tha se shumica e viktimave e kanë të vështirë të dëshmojnë në gjykatë dhe të vazhdojnë normalisht jetën e tyre, meqë Kosova është një vend i vogël dhe gjykatat nuk ofrojnë mbrojtje të dëshmitarëve.

Ajo gjithashtu theksoi se viktimat vuajnë nga stigmatizimi që u bënë shoqëria, veçanërisht kur viktima është e mitur.

“Shumë drejtorë shkollash refuzojnë t’i pranojnë këto vajza në shkollë, sepse ka tendencë që ato të perceptohen si faktor destabilizues,” tha ajo.

Luci shtoi se mentaliteti patriarkal në shoqërinë kosovare luan një rol të madh në etiketimin e femrës si prostitutë, me paragjykimin që shpie në konkludimin se viktima “është vet fajtore”. Kjo, sipas Lucit, “e pengon atë që të kthehet në komunitet, përderisa besohet se ajo e ka shkatërruar moralin e vet.”

Çosaj tha se do duhej të bëhej debat publik për legalizimin e prostitucionit, përderisa do të vazhdoj të ekzistoj në vend, përkundër përpjekjeve të policisë. Ajo sygjeroi se grupet religjioze do duhej të përfshiheshin në diskutim.

Sipas Durakut, mungesa e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve relevante mbetet sfida më e madhe  për ndalimin e trafikimit të qenieve njerëzore.

Në Kulmin e Javës, BIRN-i shfaqi se si Isuf Muhaxheri ka vendosur që të hyjë në testin për patent shofer në moshën 65 vjeçare, meqë është lodhur duke ju kërkuar të tjerëve që ta vozisin vërdallë. Raporti tregoi se si ai e kishte mbaruar me sukses edhe testin edhe provimin praktik.

NDËRLIDHUR

TË FUNDIT

Premtimet e Sportit
 

Kosova në Botëror

Në ditët kur çdo debat është i lidhur me futbollin evropian dhe pjesëmarrjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve në EURO 2016, emisioni “Jeta në Kosovë” i kthehet fushave të futbollit të Kosovës dhe përpjekjeve për t’i bërë ato të pranueshme për garat ndërkombëtare. Kosova në Botëror 2018 Ministri i Sportit, Kujtim Shala; Sekretari i FFK-së, Eroll […]

Andin Lokaj
 

Investimet në Sport

“Jeta në Kosovë” transmeton hulumtimin e përgatitur nga Andin Lokaj, komentuesi i sportit që viziton terrenet sportive në Mitrovicë, Drenas, Gjakovë dhe Prishtinë për të parë se në çfarë gjendje janë.   Në këtë hulumtim që analizon infrastrukturën e sportit në Kosovë, pas hyrjes në UEFA, ekipi i “Jeta në Kosovë” bashkë me Andin Lokajn […]

Monitorimi
 

Drejtësi e Butë

Drejtues të sistemit të drejtësisë në vend, gjykatës, prokurorë dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian do të flasin për raportin i cili evidenton të metat e gjykatave dhe prokurorive në tërë Kosovën

Përfundojnë Gërmimet, Nuk Ka Varrezë Masive

by Kallxo
NA NDIQNI